“Peshqit e mëdhenj” kushti i BE-së për integrimin e Shqipërisë

Shqipëria

“Peshqit e mëdhenj” kushti i BE-së për integrimin e Shqipërisë

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 07:55
Ilustrim

Krijimi i një historiku me hetime, arrestime dhe dënime në nivele të larta për korrupsion mbetet kushti vendimtar për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Shqipëria do të jetë në provë deri në muajin qershor, por sinjalet e para, se e meriton çeljen e negociatave, duhet t’i japë që në muajin prill të këtij viti. Pra, vetëm arrestimi i ‘peshqve të mëdhenj’ të korrupsionit dhe krimit mund të hapë dyert e Brukselit për Shqipërinë.

Ky mesazh përsëritet e ritheksohet nga çdo raport dhe zyrtar i BE. Shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, gjatë prezantimit të strategjisë së BE për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, tha dje se nuk ka një datë për çeljen e negociatave për Shqipërinë, por shtoi se një vendim i mundshëm mund të merret në qershor.

“Pres që dhe vendet e tjera në muajt e ardhshëm të nisin negociatat. Sot nuk kemi adoptuar vetëm një strategji por kemi hapur një rrugë që në muajt e ardhshëm të na sjellë vendime të tjera. Raportet vjetore do të publikohen në prill, do kemi samitin BE-Ballkan Perëndimor në maj dhe një vendim të mundshëm të këshillit në qershor. Strategjia mbështet këtë agjendë me iniciativa të qarta”, pohoi Mogherini.

Shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian e vuri theksin tek vijimi i reformave. Ndërkaq, strategjia sqaron se vijimi dhe zbatimi i reformave lidhet me goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Ky kusht është theksuar në të gjitha raportet vjetore të institucioneve të Brukselit për Shqipërinë. Nga ana tjetër, edhe ambasadorja Romana Vlahutin tha se kjo pranverë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.

Politikat e jashtme

Mogherini deklaroi se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se vendet e tij ndajnë të njëjtën histori si Evropa. Më tej, Mogherini përmendi dhe Shqipërinë, duke vlerësuar se vendi ynë dhe Mali i Zi kanë zbatuar 100% politikat e jashtme të caktuara nga BE. Sipas saj, e ardhmja e përbashkët është prioriteti me të cilin po punon BE, duke shtuar se nuk ka ende një datë të saktë për negociatat.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtën histori, do të kemi një të ardhme të përbashkët. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë qenë zbatuese 100% sa i përket politikave të jashtme të caktuara nga BE. E ardhmja e përbashkët është prioriteti me të cilin po punon BE. Kjo strategji është prioritet i qartë për vendet e Ballkanit.

Duhet të vijojnë reformat nga këto vende në të mirë të qytetarëve. Nuk ka një datë të saktë, por perspektiva mbetet e qartë dhe vizioni po ashtu. Kjo nuk vlen vetëm për ato vende për të cilat kanë nisur negociatat, por edhe për vendet e tjera. Kjo strategji është hapi i parë i BE, në muajt në vijim do të ketë hapa të tjerë”, tha Mogherini.

Johhanes Hahn

Komisioneri për Zgjerim, Johhanes Hahn, shprehu një vlerësim të veçantë për Kosovën, duke thënë se ka dhënë rezultate pozitive në rrugën drejt BE. “Jemi përballë një hapi historik. Vendet e Ballkanit perëndimor duhet të kenë patjetër një strategji evropiane. Duhet bërë shumë për të arritur destinacionin e BE.

Kosova, po përpiqet shumë në rrugën e saj drejt BE. Ka dhënë rezultate pozitive dhe rruga që do gjejë Kosova me Serbinë një rrugë e përbashkët do ketë rezultate pozitive për t’u afruar sa më shumë drejt BB. Ky është një presion pozitiv në rajon në mënyrë që të ecin sa më mirë drejt BE. Qëllimi është që të kemi rezultate pozitive, qëndrueshmëri, ekonomia është një element potencial, i rëndësishëm.

Në mënyrë që të kemi progres, kemi vendosur t’i mbështesim partnerët tanë duke krijuar iniciativa tepër të rëndësishme, e para është sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, ndërlidhja, pajtueshmëria, të gjitha këto janë tepër të rëndësishme, që duhet të ndërmerren gjatë vitit 2018.

Kjo është një iniciativë që ka të bëjë me përmirësimin dhe shfrytëzimin më të mirë të parave në dobi të Ballkanit Perëndimor. Kjo duhet të ndihmojë në zhvillimin e sektorit ekonomik. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Ky është një moment pozitiv”, pohoi Hahn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat