“Fshesa” e madhe nis së shpejti! Rama: Do heqim të gjithë parazitët e grabitqarët

Shqipëria

“Fshesa” e madhe nis së shpejti! Rama: Do heqim të gjithë parazitët e grabitqarët

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 13:39
Edi Rama

Pritet që në Shqipëri, administrata publike dhe institucionet shtetërore t’i nënshtrohen një procesi pastrimi nga numrat e fryrë të të punësuarve.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës Kombëtare për Reformimin e Shërbimeve Administrative. Kreu i qeverisë ka përdorur fjalë të forta për ata që ai i cilësoi si parazitë dhe grabitqarë, që kanë mbajtur një post në administratë vetëm për të lypur ryshfet.

Reforma në Drejtësi e Vettingu do të godasin korrupsionin në nivelet e larta, deklaroi Rama, duke shtuar se korrupsionit të nivelit të vogël, ose atij të ryshfetit, do të jetë përpjekja e qeverisë që do t’i japë zgjidhje.

“Një hap i madh për rritjen e shpejtësisë së shërbimeve për qytetarin në zyra e sportele dhe uljen e ndjeshme të korrupsionit. Jo vetëm kaq, po edhe masa konkrete kundër parazitëve e grabitqarëve, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Nëse flasim për korrupsionin që shqetëson qytetarët, kemi nga njëra anë korrupsionin e lartë, për të cilin Reforma në Drejtësi, Vetingu është ilaçi i duhur dhe ndëshkimet që do të pasojnë janë ilaçi i duhur. Por kemi edhe korrupsionin e gjithëpërhapur të nevojës për ryshfet, që është tipik për vende në zhvillim. Në këtë aspekt, ne besojmë shumë se përgjigja është modernizimi, i cili ka një komponent themelor, shkurtimin e duarve të shtetit në jetën dhe në xhepin e qytetarëve për shërbime që janë të drejta të fituara që shteti duhet t’i garantojë”.-tha Rama.

Sipas Ramës, duhet të shkohet drejt heqjes së mundësisë së marrjes së shërbimit në dorë me letër, në rastet kur janë të mundura shërbimet dixhitale.

“Platforma e bashkëqeverisjes është reale, funksionon. Në vend që të japësh mik, thjesht beso se ti e zgjidh vetë problemin tënd për tre minuta, duke futur mikun më të madh, qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ministrin apo ministren sipas sektorit. Sot ne kemi mbi 2500 raste konkrete që e provojnë këtë që them unë. Sot kemi 35 punonjës hipotekash në Prokurori. Nuk i ka dërguar auditi apo kontrolli i shtetit, i ka dërguar qytetari që ka ngritur krye.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat