Dy raste të fruthit në Durrës, nis verifikimi i vaksinimit të fëmijëve në shkolla

Shqipëria

Dy raste të fruthit në Durrës, nis verifikimi i vaksinimit të fëmijëve në shkolla

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 18:28
ilustrim

Dy raste me sëmundjen infektive të Fruthit janë evidentuar në Durrës, nga mjekët pediatër, ku fëmijët u paraqitën me temperaturë të lartë.

Rastet e dyshuara kanë qenë disa, por nga analizat e bëra në Institutin e Shëndetit Publik janë konfirmuar dy vogëlushë, njëri prej të cilëve 2 muajsh, raporton bw. Kjo ka bërë që Drejtoria e Shëndetit Publik të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat publike e jo publike për të verifikuar vaksinimin e fëmijëve të shkollave. Kristaq Huta, kreu i Drejtorisë së Shëndetit publik në Durrës tha se kontrolli ka nisur tek të gjithë institucionet arsimore dhe me përqendrim tek grupet e komunitetit rom.

Deri tani rezulton se vaksinimi është bërë nga 96% e popullsisë në Durrës, ndërsa 4% e prindërve kanë hezituar t’i vaksinojnë fëmijët. Mjeku Huta jep apelin se vaksinimi shmang një sërë sëmundjesh të tjera infektive. Situata e Fruthit ka sensibilizuar edhe prindërit, të cilët iu drejtohen qendrave shëndetësore për të bërë vaksinimin e fëmijëve të tyre. Ky fillim viti ka shënuar edhe rritje të madhe të fëmijëve të prekur nga virozat. Rreth 1700 fëmijë çdo javë kanë kërkuar ndihmën në qendrat shëndetësore dhe në urgjencën pediatrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat