Akuzat për CEZ, Shkëlzen Berisha: Nuk kam lobuar për CEZ

Shqipëria

Akuzat për CEZ, Shkëlzen Berisha: Nuk kam lobuar për CEZ

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 23:24
Shkëlzen Berisha

Një javë më parë, Shkëlzen Berisha hyri në prokurori për t’u larguar gjysmë ore më pas. Djali i ish-kryeministrit Berisha u thirr nga organi i akuzës për t’u pyetur për çështjen e privatizimit të OSSH.

Privatizimi i OSSH-së në vitin 2009 te kompanie çeke CEZ u bë objekt i një komisioni hetimor parlamentar, në përfundim të të cilit socialistët thonë se shtetit iu shkaktua një dëm prej 414 milion euro.

Socialistët akuzuan se procesi i privatizimit ishte fiktiv, me fitues të paracaktuar dhe me favorizime që vazhduan edhe pas marrjes së kompanisë nga çekët.

Shkëlzen Berisha dhe Sali Berisha u paraqitën përpara komisionit parlamentar, por duke refuzuar të japin dëshmi para Taulant Ballës.

Shkëlzen Berisha është një ndër emrat e rreshtuar në raportin përfundimtar të këtij komisioni hetimor, shoqëruar me kërkesën për procedim penal për veprat “refuzim për të dëshmuar” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Këtë të enjte, vetë Shkëlzen Berisha, në një lidhje telefonike me “Të Paekspozuarit” në Top Channel mohoi edhe akuzat. Ai tha se nuk ka lobuar për CEZ, madje personat e përmendur në dosjen e tij, nuk i njeh fare.

“Është totalisht e pavërtetë që unë kam lobuar për një takim me babain tim me këta persona. E-maili është publik dhe është i vërtetë. Unë nuk kam asnjë lidhje me këta persona. Akuza ka qenë fund e krye që Shkëlzen Berisha ka përfituar nga privatizimi i OSSH-së. Por, nuk kishin asnjë fakt të vetëm për ta provuar këtë”, tha ai.

Djali i ish-Kryeministrit Berisha i cilëson akuzat e ngritura kundër tij për të tërhequr vëmendjen dhe jo si presion politik ndaj babait të tij.

“Im atë ka kaluar shumë në politikë dhe nuk besoj se është kjo. Por, është një frikë e Edi Ramës për shkak të skandaleve të tij, të lidhjeve të tij dhe të ministrave të tij me drogën. Rama ka nevojë të krijojë shashka për të hequr vëmendjen nga lidhja e tij me drogën”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat