Pse Turqia e solli pikërisht tani Izet Haxhinë dhe një profil ndryshe i ish-truprojës së Berishës

Shqipëria

Pse Turqia e solli pikërisht tani Izet Haxhinë dhe një profil ndryshe i ish-truprojës së Berishës

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 23:30
Izet Haxhia

Vendimi i Gjykatës së Lartë turke për ekstradimin e një prej emrave më të njohur në botën e politikës dhe atë të nëntokës shqiptare, Izet Haxhinë ka qenë disi i “çuditshëm”.

Kjo sepse verdikti i shkallës më të lartë të gjyqësorit turk për ta sjellë Haxhinë në Tiranë, ka “rastisur” pikërisht me një vorbull hetimesh në Shqipëri dhe pritshmërinë për “peshqit e mëdhenj”.

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë i Sali Berishës, njeriut që ka drejtuar më shumë Shqipërinë që nga viti 1992.

I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha dhe ju “ngjit” duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë.

Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998.

Në vitet e qeverisjes së PD-së del në pah një konflikt i hapur ndërmjet tij dhe Azem Hajdarit, kreut të Lëvizjes Studentore dhe deputet i PD-së.

Edhe ai nga Tropoja. Izet Haxhia nuk ishte thjesht një oficer i Gardës në ato vite, por një mekanizëm force politike që ka vepruar ndaj shumë personazheve që kanë kritikuar apo sulmuar Sali Berishën, përfshirë dhe Edi Ramën në rrethana ordinere, kur ky i fundit ishte thjesht pedagog, por që me gjuhën e penën e tij brisk, e telendiste Berishën dhe qeverisjen e tij.

Në vitin 2014, Haxhia e rrëfen për herë të parë këtë histori të tij si mekanizëm i zgjidhjes politike me dajak.

I shërben Berishës edhe në vitin e vështirë 1997, por papritur, një intervistë dhënë për Sokol Ballën në revistën “Klan” plasarit marrëdhëniet mes tij dhe bashkëpatriotit të tij viçidolas.

Në këtë intervistë, Haxhia flet për klane e grupe trafikantësh droge që kanë përfituar dhe qëndrojnë pranë PD-së ku hedhin në erë shtyllat e tensionit. Ishte koha, kur vëllezërit e Izetit po punonin me Haklajt në policinë e Tropojës dhe po bashkëpunonin me strukturat e UÇK-së që bazën kryesore e kishte në Malësinë e Gjakovës, nga ku furnizonte më pas strukturat e Zonës Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj.

Rivali i tij i vjetër, Azem Hajdari punonte gjithashtu me strukturat e armatosura të Kosovës, jo të UÇK-së por me grupet e lidhura me Rugovën, Bukoshin dhe LDK-në.

Izeti u riafrua në PD ditën e nesërme pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 13 dhe 14 shtator, ku drejtoi turmat kundër Kryeministrisë dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Sali Berisha, në deklaratën e parë publike akuzoi Jaho Salihin si pjesëmarrës në atentatin ndaj Azem Hajdarit.

Por nga ana tjetër, Berisha atë kohë si lider i opozitës, nuk pranoi që të jepte dëshminë e tij në Prokurori për çështjen.

Me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, të ndjerit Robert Frowick, kreu i PD-së pranoi që ta depozitonte dëshminë pranë një prokurorje norvegjeze që u soll për të hetuar vrasjen e Azem Hadarit.

Berisha përmend në dëshminë e tij Izet Haxhinë si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit të PD-së.

Ky i fundit pas asaj dëshmie arratiset nga Shqipëria dhe përfundon në Turqi.

Të gjitha gjykatat e Shqipërisë e dënojnë me 25 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.

Në vitin 2005, kur Berisha ishte kryeministër dhe  Sokol Olldashi-ministër i Brendshëm, u arritën të arrestoheshin me kërkesën e policisë emra të njohur të botës së krimit. Të gjithë jashtë vendit.

Në Maqedoni u arrestua Lul Berisha. Në Turqi Aldo Bare dhe Izet Haxhia. Dy të parët u ekstraduan në Shqipëri, por Izeti jo.

Ka mbetur enigmë pse u mbajt në Turqi pa ju dhënë statusi i azilantit, ndërkohë që edhe në Shqipëri nuk u soll edhe pse u kërkua me forcë nga qeveria “Berisha”.

Me largimin e PD-së nga qeveria në vitin 2013, Izet Haxhia dha një intervistë bombë për gazetën “Dita” me tre numra, ku jo vetëm rrëfeu historinë e largimit, por foli edhe për çështjen “Hajdari”  dhe marrëdhëniet e tij me familjen “Berisha”.

Ajo intervistë ishte e fuqishme dhe dha impakt të madh pasi përbënte risi. Dhe pas asaj interviste Izet Haxhia nuk i mungonte më shtypit shqiptar, kryesisht atij anti-Berisha.

Me daljen e rrjeteve sociale, Haxhia u bë shumë aktiv dhe ka një numër shumë të madh ndjekësish.

Dy vjet më parë, aika dhënë një version të ndryshëm të vrasjes së Azem Hajdarit, ku thekson se nuk ka qenë fare në vendngjarje, duke kërkuar hapjen e çështjes.

Izeti akuzoi Fatos Klosin dhe Sali Berishën në manipulimin e ngjarjes.

Ende dihet pak për vendimin e ekstradimit të gjykatës turke, pasi lajmin e ka bërë të ditur vetë Izeti dhe shkurt.

Nuk dihet nëse periudha në Turqi i njihet si burgim, liri apo çfarë.

Por pikëpyetja më e madhe është kush e mbajti atë për kaq vjet në një lokacion bregdetar të Bosforit dhe kush e solli pikërisht tani?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat