Ngrihen ndërmarrjet sociale në bashki, 26 kategoritë përfituese

Shqipëria

Ngrihen ndërmarrjet sociale në bashki, 26 kategoritë përfituese

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 07:54
Qeveria ‘Rama 2’

Nis zbatimi i një skeme të re për të mbështetur me punësim dhe shërbime të tjera disa grupe të mëdha shoqërore. Ditën e enjte ka hyrë në fuqi një vendim i qeverisë ‘Rama 2’, i cili parashikon ngritjen dhe funksionimin e ndërmarrjeve sociale, për lehtësimin dhe krijimin e kushteve të favorshme, për punësimin e 26 kategorive të ndryshme shoqërore.

Ndërmarrjet sociale, përpos punësimit, do t’u ofrojnë 26 kategorive shoqërore edhe shërbime të tjera për integrimin e tyre social dhe ekonomik. Ndërmarrjet sociale janë organizata jofitimprurëse, të cilat do të mbështeten nga njësitë e qeverisjes vendore, në territoret brenda juridiksionit të tyre, me qëllim për zbatimin e politikave të tyre sociale. Thelbi i ndërmarrjes sociale është kontributi vullnetar, por ato do të ketë edhe punonjës me pagesë. 30 për qind e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin shtresave në nevojë.

Mes kategorive që përfitojnë, janë përfituesit e ndihmës ekonomike, persona që nuk kanë ndjekur arsimin e detyrueshëm, personat që jetojnë në zonat rurale dhe që nuk kanë tokë, punonjësit migrantë që janë zhvendosur brenda vendit, personat që rezultojnë të varur apo ish-të varur nga droga, gratë që jetojnë në zonat rurale etj.

Nga ndërmarrjet sociale do të përfitojnë gjithashtu të papunët për një periudhë afatgjatë prej të paktën 12 muajsh, personat deri në 24 vjeç, personat që kanë mbaruar studimet e arsimit të lartë prej jo më shumë se dy vjetësh dhe nuk kanë filluar një punë, personat e pastrehë, ish-të burgosurit, personat orientim të ndryshëm seksual etj.

Ndërkaq, ministria përgjegjëse për çështjet sociale, nëpërmjet strukturave të veta, ushtron kontrolle, me qëllim që të verifikohet respektimi i dispozitave ligjore nga ana e ndërmarrjeve sociale. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në varësi të natyrës së ndërmarrjes sociale dhe veprimtarive të ushtruara prej saj, gjatë ushtrimit të kontrollit të veprimtarisë së ndërmarrjes sociale, koordinon punën me inspektorate të institucioneve të tjera shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat