“Mungesa e pagave, pse nuk reagojnë pedagogët?!”

Shqipëria

“Mungesa e pagave, pse nuk reagojnë pedagogët?!”

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 13:56
Ilustrim

Në lidhje me mungesën e pagave të pedagogëve reagoi sot për herë të parë edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Sipas saj gjithçka lidhet me ligjin e arsimit të lartë dhe autonominë financiare të universiteteve.

Por për deputetin e PD-së, Luçiano Boçi ky është një përçmim që po u bëhet intelektualëve të vendit.

Ai ngre edhe pyetje se përse ata që janë të diskriminuar, vetë pedagogët nuk po e ngrenë zërin?!

DEPERSONALIZIMI PUBLIK I PEDAGOGËVE PUBLIKË

E gjithë kjo histori e pagave të munguara për pedagogët nuk është vetëm çështje e asaj letrës së munguar “të bakallit” që bakalli i Ballkanit me pompozitet i thërret VKM.

Të hënën, të martën….ajo do dalë dhe “buzëqeshja” që “kot u mërzitëm” do i rikthehet pedagogëve.
E gjërat do ndjekin vanitetin akademik të përhershëm…..

Më shumë se aq, personalisht e shoh si akt përçmimi, si aktin e fundit të një procesi depersonalizimi të nisur me një ligj absurd e nga drejtues dallkaukë, të cilët i hapën rrugë shndërrimit të trupës akademike në një trupë pa zë, pa mendim e reagim.

Të varur plotësisht e të bindur deri në marrëzi, nga vendimet që vijnë “nga lart”.

Para se të flasim për pagat e tyre qesharake, më thoni ku janë pedagogët sot, ku është mendimi i tyre, ku është elitatizmi i tyre, kush ja vërshëllen, kush i dëgjon përpos vetvetes në konferenca shkencore, kush i repekton, sa i financojnë, sa i mbështesin, sa idetë e tyre merren në konsideratë?
Pergjigjet për këto pyetje janë ndajfoljore ose përemërore:

Askund, askush, asgjë, asnjëherë!!!
Kush i trembet tani, si dikur, reagimit të tyre, nqs do Zoti ndodh?
Pësëri askush.

Madje do t’i tregojnë batakun që ia ngritën si çark, ku disa kanë rënë, pak kanë ikur me dëshirë e disa kanë rezistuar, por që dhe ata i fusin në të njëjtin thes.

E do t’i ngrejnë gishtin duke i treguar si të korruptuar e tregëtarë notash, në dukje me “të drejtë”.
Sepse “ata” të VKM-rave kanë punuar për këtë ditë….

I zhveshën nga liria, nga forca e argumentit, i zëvendësuan në ligjërimin politik me llumin e llumit, e lanë në fund të sallës,në fund të rreshtit, i zhveshën nga shkenca, nga reputacioni, i rrëzuan dhe i baltosën me ligj…. e tani mund t’i ndalojnë ca ditë dhe pagën!!!

Sepse kështu bëhen më të bindur.

Punuan kaq kohë për t”i bërë pedagogët që “mos t’i besojnë as për dëshmitarë”, që pedagogët të mosbëzajnë, të thonë “bereqavers” që s’po na ngacmojnë, po na lejnë rehat, s’po na heqin nga puna.

Dhe drama e tyre vazhdon…

Me gishta janë ato që ngritën zërin këto ditë. Po ata që e kanë bërë gjithmonë në shenjë lirie personale e mosbindje akademike, por që nuk i dëgjon askush përsëri.

Prandaj më shumë se letra e bakallit VKM, që vonon pagën më dhemb heshtja, nënshtrimi, mosreagimi në vazhdimësi i atyre që duhet të jenë avangarda e mendimit dhe e lëvizjes në një shoqëri, i pedagogëve vetë.

Kam frikë se me “urtësinë” e tyre po pranojnë dorën e “të marrëve” që po fik universitetet publike në Shqipëri dhe që depersonalizon publikisht pedagogët publikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat