Sa biznese janë mbyllur? Tabaku zbulon mashtrimin e Ahmetajt

Shqipëria

Sa biznese janë mbyllur? Tabaku zbulon mashtrimin e Ahmetajt

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 19:00
Ilustrim

Një debat për numrin e bizneseve në Shqipëri është zhvilluar ditën e sotme në distancë mes kreut të PD-së Lulzim Bashës dhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj.

Ka qenë Basha, i cili ka deklaruar se në Shqipëri janë mbyllur 1747 biznese, ndërsa këtë shifër e ka kundërshtuar Ahmetaj.

Por, në një reagim në profilin e saj në ‘Facebook, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, ka zbuluar edhe ‘mashtrimin’ që bën Ahmetaj me shifrat.

Reagimi i Tabakut

A po mbyllen bizneset në Shqipëri?

Ministri Ahmetaj sot iu përgjigj kryetarit të opozitës për shifrën e bizneseve që nuk paguajnë më taksa, pra janë të mbyllura, duke këmbëngulur që sot ka më shumë biznese të hapura se një vit më parë. Ironikisht, ministri mbështetej jo tek Drejtoria e Tatimeve prej nga ku buron shifra e 1747 bizneseve të mbyllura por nxjerr një shifër nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Arsyeja e shmangies është e thjeshtë; sipas ligjeve dhe rregullave në fuqi një biznesi për t’u çregjistruar përfundimisht i duhet më shumë se një vit punë intensive. Për rrjedhojë shifra e paraqitur në QKR ka disa “mangësi” të karakterit procedural, të cilat ministri i përdor për të fshehur të vërtetën.

Nuk është e re që bizneset sot paguajnë më shumë taksa pothuajse sa 60% e xhiros, që sot paguajnë fatura më të larta energjie elektrike e që nga Prilli bizneset e vogla do të kenë dhe TVSH prej 20% që do të vendosë në kushte mbijetese pjesën më vitale të ekonomisë shqiptare.

Nuk është habi që ministri Ahmetaj të gënjejë si në media ashtu edhe në komisione. U bënë mbi katër vite që shqiptarëve u ofrohen shifra të rreme mbi rritjen ekonomike, borxhin publik apo vlerën e PPP-ve. Fatkeqësisht disa njerëz as nuk skuqen dhe as turpërohen kur manipulojnë të vërtetën, por realiteti është ndryshe. Atë e tregojnë bizneset që cdo ditë mbyllen.

Reagimi i Ahmetajt

Ekonomia matet me shifra dhe shifrat, përtej emocioneve politike, janë lehtësisht të verifikueshme. Në janar 2018 janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 2394 biznese të reja dhe janë ç’regjistruar 732. Efekti neto, është 1662 biznese të reja në ekonomi, nga 1425 që ishin në janar 2016, ose thënë ndryshe, një rritje prej 237 biznesesh më shumë se një vit më parë, vetëm për muajin janar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat