Denoncimet e PD: Rama-Klosi po luajnë teatër me shqiptarët

Shqipëria

Denoncimet e PD: Rama-Klosi po luajnë teatër me shqiptarët

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 13:06
Jamarbër Malltez

Partia Demokratike ka denoncuar përmes kreut të Departamentit të Mjedisit në parti, Jamarbër Malltezi, atë që e konsideron si teatrin e luajtur prej kryeministrit Rama dhe ministrit Blendi Klosi, sa i përket ndërtimit të HEC-eve në kanionet e Osumit.

Në deklaratën e tij, Malltezi thekson se një letër e publikuar në media e ish-kreut të Kuvendit, Ilir Meta, sot President i Republikës, zbulon se Rama ka qenë në dijeni të projektit që dëmtonte kanionet e Osumit, por ka vijuar me miratimin e tij në dhjetor të vitit 2017, kur “tepsinë” e kishte të gjithën për vete.

“Rama dhe Klosi nxituan ta mbyllin me një deklaratë ndjese çështjen e HEC-eve mbi Osum, por të dy luajnë teatër me shqiptarët. Ata luajnë teatër edhe me premtimet për ndjekje penale, sepse personat që kanë firmat në lejen mjedisore, pa të cilën nuk nis dot ndërtimi i asnjë projekti, janë graduar me detyra të larta”, thotë Malltezi.

Sipas kreut të Departamentit të Mjedisit në PD, ish-drejtori i Lejeve Mjedisore (Baduni) është graduar nga Bledi Klosi si drejtor i Turizmit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit të drejtuar prej tij.

“Nuk ka absurditet më të madh sesa kur ai që firmos për shkatërrimin e një zone turistike unike, të drejtojë edhe politikat e turizmit. Kjo mund të ndodhë vetëm në Qeverinë ‘Rama’, e cila premton me fjalë se nuk do ta dëmtojë natyrën, por me vepra jep leje që shkatërrojnë mjedisin, ose leje që prishin parqe e lulishte në Tiranë për kulla 44-katëshe”, shprehet Malltezi.

Malltezi ka denoncuar më pas edhe një skandal në lidhje me zonat e mbrojtura.

“Në krye të Agjensisë së Zonave të Mbrojtura është emëruar Zamir Dedej. Deri para pak vitesh, ai ishte drejtor i një shoqate mjedisore, e quajtur INCA. Sot buxheti i Agjencisë për investime, monitorime dhe trajnime, pra mbi 330 milionë lekë, i janë kaluar shoqatës mjedisore të drejtorit Dedej. Në këtë vend, peshku i madh po peshkon peshkatarët, se licencat për peshkim i kontrollon vet kryepeshku”, mbyll denoncimin e tij Jamarbër Malltezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat