Qeni zbuloi heroinën në kamion në Durrës, flet shoferi: Nuk kam dijeni, mjetin e mora…

Shqipëria

Qeni zbuloi heroinën në kamion në Durrës, flet shoferi: Nuk kam dijeni, mjetin e mora…

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 13:24
Pamje nga kontrolla

Bllokohet një sasi e konsiderueshme droge në pikën kufitare të portit të Durrësit, në tentativë për t’u trafikuar drejt Italisë. Bëhet fjalë për 11.4 kilogramë heroinë, e cila u zbulua në një kamion që priste të ngarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona.

Sinjalin për lëndën narkotike e lëshoi fillimisht skaneri. Pas zbulimit të lëndës narkotike, Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e automjetit Bujar Shazivari, 63 vjeç, banues në Durrës, që dyshohet të jetë edhe poseduesi i heroinës. Sipas Policisë, gjetja e lëndës narkotike u bë gjatë kontrollit në vijë të dytë nga Policia Kufitare në kamionin me targa AA 943 OO, me destinacion qytetin e Firences në Itali. Kamioni ishte ngarkuar me konfeksione, me rreth 15 koli me qese plastmasi, ndërsa sasia e heroinës ishte fshehur në kabinën e kamionit, konkretisht poshtë krevatit të shoferit, i cili përdoret nga drejtuesi i mjetit në raste pushimi. “Me datë 11.02.2018, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionëve rezultoi se: Në kabinën e kamionit “MAN”, me targë AA 943 OO, nën krevatin e shoferit në një vend të fshehtë, pas kontrollit të imtësishëm me qenin antidrogë dhe fibroskop, u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar heroinë.

[kamion me droge1]

Kamioni drejtohej nga shtetasi Bujar Shazivari, 63 vjeç, banues në Durrës”, sqaruan burime nga Policia e Durrësit. Sipas bluve, nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e dyshuar heroinë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe më pas u krye peshimi i plotë i saj. Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plastmasi, sipas të dhënave, kishte destinacion Firencen në Itali. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Njëkohësisht, është shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët italianë për të zhvilluar hetime të përbashkëta në lidhje me këtë rast. Agjentët e Antidrogës, të pozicionuar me detyrë në portin e Durrësit, kishin siguruar informacione në rrugë operative për tentativën e trafikimit të lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe në momentin që kamioni ka kaluar për kontroll në vijën e dytë të sigurisë, urdhëruan drejtuesin të futej në zonën e kontrollit për verifikim të imtësishëm, që do të kryhej edhe me ndihmën e qenit antidrogë.

Falë këtij të fundit, u zbulua lënda narkotike që ishte fshehur shumë mirë në një pozicion të vështirë për t’u pikasur nga Policia dhe strukturat e tjera ligjzbatuese në Pikën Kufitare. Drejtuesi i kamionit ka mohuar të kishte lidhje me lëndën narkotike, duke theksuar se ishte vetëm shofer dhe puna e tij ishte të drejtonte kamionin drejt destinacionit të parashikuar, pra në qytetin e Firences. “Nuk kam asnjë lidhje me lëndën narkotike. Detyra e shoferit është të drejtojë kamionin drejt destinacionit. Shoferi e merr të plumbosur kamionin, s’ka lidhje fare me ngarkesën”, mësohet të jetë shprehur fillimisht 63- vjeçari durrsak në momentin e zbulimit të lëndës narkotike, ndërsa është shoqëruar për t’u marrë sërish në pyetje në komisariatin e Policisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj tentative të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë, Policia ka sekuestruar telefonat e tij celularë dhe po verifikon thirrjet telefonike dhe sms-të e nisura dhe të pritura nga këta aparate telefoni që dispononte shoferi, Bujar Shazivari.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat