Bushati: Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave - Bota Sot
Bushati: Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave

Shqipëria

E diel, 24 qershor 2018

Bushati: Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 20:47
Ditmir Bushati

Duke e përcaktuar 2018 si periudhë vendimtare për Shqipërinë, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se në frymën dhe angazhimin e Stategjisë së Zgjerimit, pret që  raporti i Komisionit Evropian, krahas evidentimit të progresit dhe reformave që duhen ndërmarrë, të projektojë qartësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas Bushatit, një vlerësim i tillë do të krijonte atmosferën e nevojshme dhe besimin mes Vendeve Anëtare për vendimmarrjen dhe afatizimin e këtij procesi.

Bushati: Fillimi i bisedimeve është vetëm fillimi i një pune edhe më të madhe, edhe më të vështirë, edhe më komplekse. Është në të vërtetë hapja e kantierit më të madh në të cilin është angazhuar ndonjëherë vendi. Puna e përpjekjet e deritanishme na japin besimin se kemi arritur masën kritike për tu angazhuar në këtë rrugë dhe ecuria e procesit, reformat në vijim dhe arritjet konkrete do të sigurojnë për Shqipërinë një sens të qartë drejtimi. Angazhimi në procesin e bisedimeve do të siguronte qartësi dhe besueshmëri për procesin jo vetëm tek aktorët e përfshirë, qeverinë dhe institucionet, por në tërë shoqërinë shqiptare. Procesi i bisedimeve do të rriste më tej rolin dhe ndikimin e BE-së, kryesish përsa i përket ritmit dhe shtrirjes së reformave, do të përshpejtonte progresin e Shqipërisë dhe do të çimentonte më tej angazhimin tonë të pakthyeshëm evropian.

Duke folur në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE që po mbahet në Tiranë, Bushati nënvizoi se reforma në sistemin e drejtësisë e ilustron më mire se çdo reformë tjetër impaktin e procesit të integrimit evropian.

Bushati: Mjafton të hedhim për një sekondë vështrimin pas dhe do të konstatojmë se në një kohë relativisht të shkurtër është bërë e mundur vendosja e kësaj reforme në një shinë të sigurtë.Ka filluar zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi, që është rivlerësimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve duke nisur me gjykatat më të larta. Proces që bazohet në tre kritere thelbësore që përfshijnë vlerësimin e figurës, aftësive dhe aseteve. Ndërkohë që është për t’u shënua fakt që një pjesë e gjyqtarëve të instancave më të larta kanë dhënë dorëheqjen duke mos pranuar që t’i nënshtrohen procesit të vettingut, çka do të thotë që reforma ka filluar të japë frytet e saj.

Bushati foli edhe për marrëdhëniet me vendet e rajonit, ku sipas tij  Shqipëria ka fuqizuar angazhimin dhe kontributin e saj.

Bushati: Me Greqinë jemi përfshirë në një proces intensiv dialogu që synon të adresojë çështje me një peshë të caktuar historike por edhe tema të mprehta të aktualitetit. Kemi pasuruar traditën e takimeve ndërqeveritare me Maqedoninë krahas Kosovës. E të njejtën gjë do të bëjmë në pranverë edhe me Malin e Zi. Po forcojmë bashkëpunimin rajoanl përmes vënies në jetë të Planit të Veprimit për krjimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe RYCO, dy organizatat më të reja, janë tërësisht funksionale dhe kanë filluar projektet konkrete.Në këtë kontekst, vlerësojmë vendin që Strategjia e Zgjerimit i dedikon linjëzimit të politikës së jashtme të vendeve kandidate me atë të Bashkimit Evropian, një fushë ku njihet qartësisht serioziteti dhe vijimësia e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së tij Bushati  tha se dedikimi i Shqipërisë ndaj agjendës së reformave është veçse riafirmim i qartësisë strategjike dhe vendosmërisë që vendi ka në orientimin e tij Euro-Atlantik.

Bushati: Ne i inkurajojmë partnerët tanë evropianë që të monitorojnë nga afër progresin që Shqipëria ka bërë dhe po bën në mënyrë të që të ecim bashkarisht drejt një perspektivë të qartë të integrimit evropian. Më lejoni të t’ju falenderoj për mbështetjen e deritanishme dhe të shpresoj në mirëkuptimin dhe ndihmën tuaj për të hapur së shpejti një faqe të re në marrëdhëniet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test