“Dy Shqipëritë”, Shalsi dhe Pollo qëndrime të kundërta për progresin drejt BE

Shqipëria

“Dy Shqipëritë”, Shalsi dhe Pollo qëndrime të kundërta për progresin drejt BE

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 07:05
Eduart Shalsi dhe Genc Pollo

Opozita dhe mazhoranca kanë ndarë qëndrime të ndryshme përpara deputetëve të PE-së në lidhje me progresin që Shqipëria ka bërë në procesin e integrimit.

Të njëjtën gjë konfirmuan për Ora News edhe dy deputetët Eduart Shalsi dhe Genc Pollo në një dalje të përbashkët.

Genc Pollo:  Krahas kritikave për qeverinë ishte e drejtë të shprehej dhe një rezervë ndaj delegacionit europian për shkak të heshtjes së pavend apo relativizimit të pavend të problemeve që nuk e ka ndihmuar popullin shqiptar.

Por problemi unë në rradhë të parë është me qeverinë dhe disa veprime të caktuara  sidomos qëndrimi ndaj imunitetit Saimir Tahiri përpjekjen për ta mbuluar me çdo kusht, përpjekjen për të mbrojtur policët e përfshirë në trafikun e narkotikëve janë veprime që vështirësojnë një vendim pozitiv nga BE në mes të vitit për hapjen e negociatave.

Ajo që ishte pak e çudishme në këtë mbledhje është fakti se ende anëtar i Komisionit figuron ish-Ministri i Brendshëm ,  Saimit Tahiri, në ëebsitin e Kuvendit. Nuk është mënyra më e mirë për tu prezantuar me PE.

Eduart Shalsi: Shqipëria është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm, brenda pak muajsh do të merret një vendim nëse do të çelen negociatat apo jo. Qëndrimi i sotëm por jo vetëm i sotëm i përfaqësuesve të opozitës është sa paradoksal aq edhe qesharak. Ka një Shqipëri që sheh opozita dhe një Shqipëri që sheh mazhoranca dhe partnerët tanë ndërkombëtarët. Ka një numër të konsiderueshëm problemesh por ka përpjekje që nga BE po vlerësohen. Opozita nga mëngjesi deri në darkë përpiqet të nxijë. Sot nuk ishin vetëm kundër mazhorancës, qeverisë, por hera-herës edhe kundër Ambasadorëve siç ishte sjellja që bën me Ambasadoren e BE në Shqipëri a thua se ja kanë fajin të huajt të cilët njohin përpos vështirësive rrugën e reformave në të cilën Shqipëria ka hyrë. 

Nëse me fjalë deklarojnë se janë për integrimin, me vepra tashmë edhe nuk po e maskojnë që po bëjnë ç’është e mundur të provojnë se nuk janë në gjendje të dialogojnë në mënyrë dinjitoze sikurse e kërkon Shqipëria.

Këta muaj janë vendimtarët për të treguar se: Po, kemi vullnetin, e dëshirojmë Shqipërinë në Europë. Pollo ka qenë Ministër , 8 vjet nuk ka folur dhe nuk ka pasur kurajon ndonjëherë të flasë për Lazaratin. Ndërkohë që përpjekjet e qeverisë për të luftuar kundër drogës, kanabisit, krimit të organizuar janë përpjekje titanike dhe beteja që nuk mund të fitohen brenda natës.

Por Shqipëria ka hyrë në një rrugë pa kthim reformash dhe kjo njihet dhe inkurajohet nga partnerët tanë.  Lajmi i mirë është se jemi shumë pranë hapjes së negociatave.

E ndërsa BE në strategjinë e fundit për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor  ka përsëritur kërkesën për dialog mes palëve për të çuar para reformat, Pollo dhe Shalsi kanë këtë koment:

Genc Pollo: Nëse ka një gjë që bëhet në mirëbesim, kemi refomën zgjedhore në dorë dhe duhet të bashkëpunojmë. Me këto që po shikojmë, me degradimin e shtetit ligjor, me policinë, drogën, mbrojtjen e banditëve që kërcënojnë “nuk keni parë gjë akoma” shteti ligjor nuk funksionon por edhe Shqipëria europiane nuk mund të realizohet.

Eduart Shalsi: Është kërkesë e vazhdueshme për dialog politik.Nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë shtrirja e dorës nga ana jonë. Ftesat janë të hapura por reformën në drejtësi do ta bëjmë ulen apo nuk ulen opozitarët.

Do të çojmë deri në fund reformat që kemi nisur. Jemi me predispozicion që edhe opozita të jetë pjesë e këtij rrugëtimi por nuk mund ti imponojmë opozitës që të mbështesë reformën në drejtësi. Muajt e fundit ka qenë e qartë nga ne dhe ndërkombëtarët që nuk e kanë dashur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat