Përfaqësuesi i OSBE: Statusi ekonomik i gazetarëve ende problem në Shqipëri

Shqipëria

Përfaqësuesi i OSBE: Statusi ekonomik i gazetarëve ende problem në Shqipëri

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 12:46
Harlem Desir

Gjatë vizitës dy ditore në Shqipëri, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, u takua me Kryeministrin, Edi Rama, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, kryetaren dhe zëvendëskryetaren e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Përfaqësuesi dhe autoritetet diskutuan për rëndësinë e promovimit të një peizazhi mediatik të fortë dhe pluralist, për cilësinë e informimit, respektimin e pavarësisë së gazetarëve, mbrojtjen e statusit ekonomik dhe social të gazetarëve, si dhe për reformën e transmetuesit publik RTSH.

“Statusi ekonomik i gazetarëve mbetet një nga çështjet më të ngutshme në vend. Mosekzistenca e kontratave të punës dhe vonesat në pagesën e rrogave dhe kontributeve shoqërore ngërthejnë një rrezik të lartë vetëcensure”, tha Désir, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të punës të gazetarëve.

Përfaqësuesi u takua edhe me kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Gentian Sala, Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi, kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Kristaq Traja, si edhe me analistë të shumë të medias dhe gazetarë për të dëgjuar mendimet e tyre për çështjet aktuale dhe për bashkëpunimin e ardhshëm në degët e tyre përkatëse të skenës së medias në Shqipëri.

“Më vjen mirë për disa ndryshime pozitive në RTSH, gjatë viteve të fundit, si dokumenti i parimeve editoriale, statuti i ri dhe strategjia e zhvillimit. Megjithatë, ky vrull pozitiv duhet të përdoret për të përfunduar plotësisht ristrukturimin e transmetuesit publik dhe për të kapërcyer sfidat aktuale, përfshirë procesin e dixhitalizimit”, tha Désir.

Në përfundim të vizitës së tij, Désir vlerësoi marrëdhënien shumë të mirë dhe konstruktive të autoriteteve shqiptare me Zyrën e tij dhe me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si dhe ofroi ndihmën e tij për të mbështetur e përmirësuar më tej peizazhin mediatik në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat