Bushati: Ja pse Evropa duhet t’i hapë dyert për Ballkanin Perëndimor

Shqipëria

Bushati: Ja pse Evropa duhet t’i hapë dyert për Ballkanin Perëndimor

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 18:00
Ditmir Bushati

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë sot në një aktivitet të organizuar nga Qendra e Hagës për Studime Strategjike dhe ambasada shqiptare në Holandë, ku ndau me parlamentarë holandezë, opinionistë dhe diplomatë, këndvështrimin e Shqipërisë mbi perspektivën europiane jo vetëm të Shqipërisë, por gjithë Ballkanit Perëndimor.

 “Që kur Shqipëria nisi udhëtimin e saj antikomunist, prioriteti ynë kombëtar ka qenë dhe është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

E kemi pasur gjithmonë të qartë që rruga jonë drejt BE-së është e patjetërsueshme. Ballkani nuk ka alternativë tjetër përveç përfshirjes në familjen evropiane.

Shqipëria ka bërë përparim në plotësimin e prioriteteve, përmbushja e të cilave forcon themelet e një demokracie funksionale të bazuar në shtetin e së drejtës dhe në një ekonomi të zhvilluar, të aftë për të sjellë prosperitet për qytetarët”, tha ministri në fjalën e tij.

Ministri bëri një panoramë të reformave dhe rezultateve të Shqipërisë në rrugën drejt Europës, që nga vitet e para pas 90-ës deri në ditët e sotme kur Shqipëria po troket në derën e BE-së për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas tij, është koha e duhur që BE të hapë dyert për Ballkanin Perëndimor, pasi Europa bëhet më e fortë.

 “Marrëdhëniet me BE dhe perspektiva e integrimit evropian janë çelësi I stabilitetit dhe ecurisë së reformave në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ministri, i cili shtoi se shumë nga sfidat me të cilat përballet sot Ballkani Perëndimor, janë të njëjta edhe për vendet e tjera, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së. Rrjedhimisht, vetëm duke punuar së bashku, Evropa mund të jetë më e fortë për të përballuar sfidat, për të garantuar siguri, mirëqenie sociale dhe prosperitet për qytetarët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat