Bashkëshortja e politikanit rrëfen jetesën së bashku prej 35 vitesh

Shqipëria

Bashkëshortja e politikanit rrëfen jetesën së bashku prej 35 vitesh

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 13:28
Donika dhe Besnik Mustafaj

Donika Mustafaj, bashkëshortja e një prej politikanëve dhe shkrimtarëve të njohur, ka rrëfyer bashkëjetesën e tyre 35 vjeçare.

Donika dhe Besnik Mustafaj janë prindër të dy djemve të rritur. Madje janë bërë edhe gjyshër, gjë që i gëzon pa masë. Jetojnë në periferi të Tiranës dhe janë aktiv në jetën profesionale. Në rininë e tyre kanë qenë energjik dhe pasionant në gjërat që kanë bërë, por edhe në dashuri.

Janë njohur në moshën më të bukur të jetës. Kur kanë qenë studentë. Në qytetin e Rinisë së Përjetshme kanë dhënë puthjen e parë, kanë bërë premtimet e para dhe kanë hedhur hapat e para drejt një jete sëbashku. Nuk janë penduar në asnjë moment, madje me tolerancë dhe durim kanë kapërcyer edhe krizat që i ndodhin çdokujt në një marrëdhënie bashkëshortore.

Shumëçka në këtë pikë i ka mësuar dhe trashëguar nga e ëma. Nga ajo ka mësuar se, të duash është së pari të preokupohesh për nevojat e tjetrit më shumë se për nevojat e tua. Pra sipas saj të kujdesesh për partnerin duhet të të bëj të lumtur, në të kundërt, nuk ke gjë në terezi. Për të, dashuria me egoizmin e kanë të vështirë bashkëjetojnë në paqe. Për shumë vite Besniku ka qenë aktiv në politik, ndërsa Donika, ka punuar dhe vazhdon të punojë si regjisore dhe skenariste. Kanë vepruar në fusha të ndryshme, dhe kjo nuk i ka penguar që të mbajnë në formë dashurinë e tyre…

Më poshtë, një bisedë në Dita me Donika Mustafajin!

-Zonja Donika, si jeni njohur ju dhe z. Besnik dhe çfarë e ka mbajtur gjallë këtë marrëdhënie?

Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë, por mua, tani që po e tregoi, po më duket sikur ka ndodhur dje. Jemi njohur kur unë isha 20 vjeç, Besniku është dy vjet më i madh, pra në një moshë shumë të bukur. Pak më vonë ne u lidhëm për të mirë dhe për të keq, siç thuhet në formulën e betimit.

Besoj se çelësi i suksesit në dashuri është respekti. Ka patur tensione të çastit, sigurisht, por kurrë fyerje. Sepse ne e vlerësojmë shumë njëri-tjetrin. Kur nuk jemi dakord, mundohemi gjithmonë të flasim pa bërtitur dhe pa u mërzitur me njëri tjetrin. Nëse njëri kalon limitet, tjetri ka për detyrë ta vendosë anijen në ujëra të qeta. Kjo na ka ndihmuar shumë të ndërtojmë një bazë solide për bashkëjetesën.

-35 vite bashkë… të kesh sukses në çift a mund të themi se është një çështje dëshire?

Po, 35 vjet janë një jetë e tërë, gjatë së cilës ndryshojnë natyrshëm shumë gjëra te njeriu, përfshirë edhe trupin. Por nuk e pranoj se ndodh tharja, shkretimi. Dëshira është një energji që ushqehet duke iu përshtatur ndryshimeve që sjell koha. Lufton kundër periudhave të ftohta ai që dëshiron vërtetë.

-Edhe kur mendon se dashuria po jep shpirt?

Ju po më mbani me pyetjet tuaja tek marrëdhënia dyshe, pa u zgjeruar te familja që krijohet në sajë të dashurisë. Po ju përgjigjem: Besoj se nga një thëngjill mund të ndizet prapë zjarri. Unë, që jam e martuar prej 35 vitesh, besoj se jam të paktën e dashuruar me burrin tim sa në vitet e para të lidhjes tonë.

-Pra, për ju ka arsye në dashuri?

Për mua ka arsye gjithandej duke kuptuar këtu edhe në dashuri. Duhet ta pyesësh veten çfarë do që të bësh. Të ndalesh herë pas here për të parë veten.

-Pas kaq vitesh eksperiencë dhe jetë bashkëshortore, cili është kuptimi juaj për dashurinë? Çfarë roli luan dëshira seksuale?

Dashuria jonë filloi me një takim. Besniku më pëlqeu për disa arsye. Ky takim i rastësishëm bëri që unë të mos martohesha si motrat e mia, të cilave ua gjeti burrin babai. Gjatë afro një viti dilnim për shëtitje, kinema, restorant, derisa erdhi shprehja e dashurisë nga Besniku, që unë e prisja. Në këtë moment dëshira seksuale luan natyrshëm një rol domethënës. Për mua dashuria nuk përmblidhet në një pasion. Të duash do të thotë para se gjithash ta bësh veten të dashur për partnerin. Ka sigurisht një tërheqje si fillim, por kaq nuk mjafton për t’i mbijetuar kohës. Historia jonë është ndërtuar mbi shkëmbime me njëri- tjetrin. Është një proces, ku secili interpreton veprimet e tjetrit.

-A është shpesh e nevojshme të mbyllësh një sy apo të harrosh?

Nëse fokusohemi të defektet e bashkëshortit, atëherë shohim vetëm ato dhe asgjë tjetër. Nëse përdorim gomën për të fshirë defektet dhe të shkruajmë në kujtesë virtytet, atëherë ne nuk rrezikojmë të harrojmë përse u martova unë me të. Mua kështu më ka ndodhur gjithmonë dhe ia kam dalë t’i kapërcej pa plagë ato që ju i quani kriza. Burri ideal nuk ekziston. Dhe as gruaja ideale. Unë këtë kam parasysh kur them se burrin tim e dua të gjithin.

-Pas kaq shumë vitesh, a mund të themi se ju dhe z.Besnik jeni të lumtur?

Kam akoma kohë (qesh). E pranoj me krenari se kam mësuar nga tradita dhe urtësia e prindërve të mi. E para vjen nëna ime. Duke parë vështirësitë që ka kaluar ajo me babain, ia lejova vetes ta pyesja se si ka mundësi që e do kaq shumë babain dhe nuk ke rënë në dëshpërim? Mamaja ime u mendua pak dhe me tha : “Nuk kam dyshuar kurrë se do të isha e lumtur”. Ajo ishte e vetëdijshme që martesa është një jetë me angazhime, detyra dhe përgjegjësi. Dashuria nuk  vjen nga jashtë, por nga brenda. Është ajo që ne ndjejmë, mendojmë dhe bëjmë në radhë të parë për të tjerët dhe pastaj për veten tonë. Nga ajo mësova se të duash është së pari të preokupohesh për nevojat e tjetrit më shumë se për nevojat e tua. Pra, nëna ime bënte për babain tim sepse kjo e bënte të lumtur. Ky është kapërcimi i egoizmit. Dashuria me egoizmin nuk bashkëjetojnë në paqe. Shikoni çfarë ndodh sot shpesh me çiftet e reja: njëri duhet të laj enët, tjetri të hedh plehrat…Një ndarje aritmetike e punëve të shtëpisë. Besoj se asnjëri nuk del nga këto histori i lumtur. Plasin sherre pa fund se kush bën më pak e kush më shumë në kurriz të tjetrit. Në sherre të tilla banale edhe dëshirat, edhe tërheqjet për njëri-tjetrin zverdhen.

Më kujtohet, kur u martova, në dalje nga dera e shtëpisë më vunë të thyeja diçka të qelqtë. Ky ishte mesazhi i parë. Që jeta në çift është e kërcënuar nga brishtësia. Ta përballosh jetën me një dashuri pa interes të ndihmon të kalosh periudhat e vështira dhe të gjesh lumturinë. Edhe trupi e ruan kështu freskinë për të qenë tërheqës. Mplakja e trupit është vetëm në kohë, thotë Jane Fonda, e cila tani po ju afrohet të tetëdhjetave, por ndjehet po aq femër si dikur.

-A mund ta marrim këtë si një këshillë që i jepni të gjithë atyre që janë në një lidhje?

Unë këtë përvojë kam. Martesa është premtimi i një jete shumë të bukur, ku asgjë nga pasionet rinore nuk vdes, me kusht që ju ta doni të tillë, domethënë të bukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat