Veliaj: Një godinë pa kullë në gjurmën ku është sot, vetëm për teatrin

Shqipëria

Veliaj: Një godinë pa kullë në gjurmën ku është sot, vetëm për teatrin

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 15:25
Pamje nga ngjarja

Kryeqyteti do të ketë shumë shpejt një teatër të ri modern. E ndërtuar që para Luftës së Dytë Botërore dhe në gjendje të rrënuar, godina aktuale e cila nuk ofron as kushtet minimale për aktorët e spektatorët artdashës, do t'i lërë vendin një godine të re që do të ngrihet në gjurmët e asaj ekzistuese. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës do të nisë ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, një hapësirë e denjë për artdashësit.

Teksa mori pjesë në rehabilitimin e lulishtes së Akademisë së Arteve, bashkë me këngëtaren e njohur shqiptare, Elvana Gjata, dhe aktorin e shumë roleve në skenë dhe ekran, Kastriot Çaushi, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se godina e re do të jetë mbi gjurmët e atij ekzistues dhe pa kullë. "Do të bëjmë një propozim shumë të guximshëm për Teatrin Kombëtar, një teatër pa kullë, në gjurmën ku është sot, ekskluziv vetëm për teatrin. Por, që të bëjmë gjëra të bukura, duhet bashkëpunim, jo histeri. Na duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë mënyrën më të mirë dhe të ecim përpara", theksoi Veliaj.

Më tej, kreu i Bashkisë apeloi që çdo qytetar do të duhet të japë ndihmën e tij për vendin dhe komunitetin ku jeton, duke kthyer mbrapsht në shenjë mirënjohje energjinë pozitive. Ndërkohë, lulishtja e Akademisë së Arteve është kthyer tashmë  jo vetëm një ambient çlodhës për studentët dhe qytetarët e Tiranës, por edhe një vend ku mund të shijohen instalacionet artistike të vendosura në të.

"I jam shumë mirënjohës Elvanës që për ditëlindjen e saj bashkëpunoi me ne, që t'i jepnim qytetit një qoshe e cila mbi të gjitha do të shfrytëzohet nga të gjithë studentët e arteve dhe sa bukur kur secili lë një gjurmë në vendin ku është rritur, ku është bërë e talentuar dhe pastaj ka shpërthyer si një histori suksesi", tha Veliaj.

Duke falenderuar kryebashkiakun Veliaj, artisti i njohur Kastriot Çaushi, kërkoi që krahas ndërtimit të Teatrit, të nisë puna edhe për një sërë projektesh të tjera. "Ke dhënë fjalën, përveç se thua për Teatrin, edhe për hapësirat e tjera këtu, atë përballë, atje mbrapa, vërtet kemi nevojë. Unë e di, me mua të paktën i ke mbajtur të gjitha premtimet. Ndaj në emrin tim, por edhe stafit, gjithë studentëve, pedagogëve, ju falenderoj, në mënyrë të veçantë Elvanën, por edhe ju z. Kryetar për të gjithë bonsensin që keni treguar", tha Çaushi.

Këngëtarja e njohur, Elvana Gjata, vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku Veliaj në Tiranë, teksa theksoi se kjo ditë do të ruhet në kujtimet e saj si një ndër gjërat më të bukura të realizuara. "Faleminderit Erion vërtet, ta them me gjithë zemër, jemi shumë me fat që të kemi ty në Tiranën tonë! Të jam në fakt mirënjohëse që bëmë këtë gjë kaq të rëndësishme për qytetarët e Tiranës mbi të gjitha dhe për mua absolutisht. Sinqerisht, kjo është një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, një nga gjërat më me energji të mirë, pozitive dhe u sugjeroj të gjithëve, që ta bëjnë të gjithë qytetarët e Tiranës", tha Elvana Gjata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat