Me pistoletë në kokë për xhiron e “Shën Valentinit” Pronari lezhjan tregon tmerrin

Shqipëria

Me pistoletë në kokë për xhiron e “Shën Valentinit” Pronari lezhjan tregon tmerrin

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 23:23
ilustrim

Pronari i një restoranti të njohur në Lagunën e Patokut, ka rënë pre e një grabitjeje me armë, ndërsa ishte duke u kthyer për në shtëpi bashkë me bashkëshorten e tij.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës rreth orës 23:20, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur sulmuan pronarin Seit Sinani, 67 vjeç, në momentin që ka dalë nga lokali dhe po i drejtohej automjetit të tij ku e priste gruaja.

Biznesmeni sapo kishte mbyllur restorantin me emrin “Gesi”, që është një prej më të njohurve dhe më të frekuentuarve në zonën e Lagunës. Në momentin që Sinani i është afruar makinës për të hapur derën, një prej autorëve i ka vënë pistoletën në kokë duke e detyruar që t’i dorëzojë çantën e dorës bashkë me paratë e xhiros ditore.

Shuma e grabitur është rreth 5 milionë lekë të vjetra. Duke qenë se gjatë ditës shumë çifte kanë festuar Shën Valentinin në restorantin e 67-vjeçari, autorët e grabitjes kishin dijeni për shumën e konsiderueshme që mund të kishte xhiruar gjatë ditës dhe për këtë arsye kanë realizuar grabitjen pikërisht në këtë ditë.

Në bazë të dëshmisë së 67- vjeçarit nga Laçi, autorët e grabitjes janë larguar me makinë në drejtim të autostradës Milot – Fushë-Krujë. Gjithashtu, gjatë marrjes në pyetje, pronari i restorantit është shprehur se dy autorët kanë qenë të rinj në moshë, por nuk ka arritur të dallojë fytyrën e tyre për shkak se mbanin maskë, por edhe për shkak të errësirës.

Po ashtu në momentin e ngjarjes nuk ka pasur lëvizje në zonën përreth, çka e vështirëson punën e Policisë për të rënë në gjurmët e autorëve të kësaj grabitjeje.

“Njëri prej autorëve më drejtoi armën dhe u detyrova t’u dorëzoj çantën që mbaja në duar. M’u dukën të rinj në moshë, por nuk arrita t’u shquaja fytyrën për shkak të maskës, por edhe errësirë ishte”, është shprehur para oficerëve të Policisë 67-vjeçari Sinani.

Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që janë sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit në fjalë dhe bizneseve aty pranë për të parë nëse autorët apo automjeti i tyre është filmuar, çka do ta ndihmonte grupin hetimor në identifikimin e tyre.

Ndërkohë, për të rënë në gjurmët e dy grabitësve, Policia ngriti disa pika kontrolli si dhe ka krehur të gjithë zonën përreth, por deri tani nuk ka rënë në gjurmën e autorëve të grabitjes së shumës prej 5 milionë lekësh të vjetra.

“Më datë 14.02.2018, rreth orës 23:20, në rrugën e Patokut, dy persona të paidentifikuar i kanë dalë para makinës së shtetasit S.S., 67 vjeç dhe nën kërcënimin e armës i kanë marrë një sasi parash dhe me pas janë larguar me një automjet. Shtetasi i lartpërmendur udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij”, bëhet e ditur nga Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat