Kosova 10 vjet e pavarur, Meta: Përparim i jashtëzakonshëm

Shqipëria

Kosova 10 vjet e pavarur, Meta: Përparim i jashtëzakonshëm

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 08:23
Ilir Meta

Kosova feston sot 10-vjetorin e pavarësisë. Në këtë përvjetor, që shënon plot një dekadë pavarësi për vendin e dytë të shqiptarëve, priten mjaft urime dhe aktivitete të ndryshme.

Urimi i parë në këtë mëngjes të 17 shkurtit ka ardhur nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka përcjellë një mesazh të ngrohtë e vëllazëror për të gjithë shqiptarët e Kosovës.

Meta shkruan në letrën e tij se është i entuziazmuar që marrëdhëniet vëllazërore dhe ndështetërore mes dy vendeve janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimit evropian e euro-atlantik.

Letra e plotë e Presidentit Ilir Meta:

I nderuar Zoti President,

Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta e vëllazërore.

Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë.

Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.

Kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.

Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe.

Së bashku me urimet më të mira e vëllazërore, për konsolidimin, zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Përzemërsisht,

Ilir Meta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat