10-vjetori i Pavarësisë, Basha: Jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë

Shqipëria

10-vjetori i Pavarësisë, Basha: Jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 11:42
Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë një urim të veçantë për qytetarët e Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë.

Përmes një statusi në profilin e tij në ‘Facebook’, Basha thotë se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit.

Kreu i PD-së, nuk ka harruar pa përmendur edhe presidentin e ndjerë Ibrahim Rugovën dhe luftëtarin e UCK-së Adem Jasharin.

Për Bashën, e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar.

Urimi i Bashës:

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët!

Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijëve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë.

Por mbi të gjitha, sot jemi krenarë për Kosovën. Jemi kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit. Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar.

Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat