"Votim elektronik", Çuçi mohon miratimin në komisionin: Nuk e di se ku e ka votuar Bylykbashi

Shqipëria

"Votim elektronik", Çuçi mohon miratimin në komisionin: Nuk e di se ku e ka votuar Bylykbashi

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 12:13
Bledi Çuçi

Votimi elektronik ka përplasur sërish palët në lidhje me diskutimet që kanë nisur në komisionin përgjegjës.

Ndërsa dje bashkëkryetari i reformës, Bylykbashi u shpreh se ‘komisioni ka vendosur prioritet votimin elektronik’, sot diçka e tillë është mohuar nga Bledi Çuçi, i cili ka thënë se nuk ka asnjë vendimmarrje në lidhje me këtë çështje. Sipas tij dëshmitarë janë edhe 17 anëtarët e tjerë të komisionit.

Bashkëkryetari nga PS, thotë se deri tani kemi miratuar një platformë mbi çështjet që ky komision do të trajtojë, bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, ndërsa shton se nuk është miratuar asnjë vendim për votimin elektronik.

Deklarata e Bylykbashit mbrëmë

Komisioni i Reformës Zgjedhore përcaktoi votimin elektronik si prioritet te tij. Identifikim biometrik qe askush te mos manipuloje me karta falso, te falsifikoje firmat e emigranteve apo t'u bllokoje zgjedhësve votën duke u marre kartat e identitetit. Votim e numërim elektronik qe askush te mos mbushe kutitë e votimit apo te vjedhë votat ne numërim. Sistem i thjeshte, transparent dhe i besueshëm për zgjedhësit, partitë dhe publikun.

Ekspertet e huaj e thone qarte; kërkon kujdes por eshte plotësisht e bëshme. Partneret e huaj po ashtu mbeshtesin qasjen e kujdeseshme te komisionit per votim elektronik ne qender votimi, jo online! Komisioni hodhi shinat per nje reforme te suksesshme e konsensuale. Kjo reforme eshte me e rendesishmja. Vetem nje parlament pa vote te blere dhe pa kriminele mund te beje Drejtesi te vertete. Zgjedhjet janë prioritet per demokracinë dhe integrimin europian. Opozita do t'i prije ketij interesi jetik.

Deklarata e Bledi Çuçit sot

Unë nuk e di se për cilin komision parlamentar e ka fjalën Oerdi kur thotë se kemi vendosur me konsensus për votimin elektronik, por në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të cilin unë dhe Oerdi e kryesojmë, deri më tash kemi miratuar një platformë mbi çështjet që ky Komision do të trajtojë, bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe probleme të tjera të zgjedhjeve në Shqipëri.

Siç mund ta dëshmojnë edhe të 17 anëtarët e Komisionit nga të gjitha partitë parlamentare, në Komision nuk kemi arritur asnjë konkluzion e aq më pak vendim që lidhet me votimin elektronik, sepse, siç kemi rënë dakord me të gjitha palët, në Komision do të vazhdojmë të marrim vendime me konsensus pasi të kemi marrë ekspertizën më të mirë të vendit dhe ndërkombëtare. Vetëm kështu do të bëjmë të mundur që t’ju ofrojmë shqiptarëve një proces zgjedhor, i cili përputhet me standardet dhe praktikat më të mira perëndimore. Fryma e bashkëpunimit dhe e konsensusit që kemi vendosur në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, do të vazhdojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat