Cilat janë kategoritë e reja që përfitojnë banesa nga shteti

Shqipëria

Cilat janë kategoritë e reja që përfitojnë banesa nga shteti

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 07:45
Ilustrim

Në Parlamentin Shqiptar po shqyrtohet një nga nismat më të rëndësishme ligjore, ai për strehimin social.

Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji, mijëra familje, sipas mundësive ekonomike dhe disa kushteve të tjera, do të përfitojnë banesë nga shteti me kushte lehtësuese.

Ndërkaq, deputetët në Komisionin Parlament për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, me anë të një raporti, kanë ndryshuar dhe shtuar kategoritë që përfitojnë banesa me kosto të ulët. Në kategorinë me përparësi janë përfshirë edhe punonjësit e shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe të shpëtimit.

Ndërkaq, në krye të listës qëndrojnë personat me aftësi të kufizuara, individët me statusin e jetimit, familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer, familjet e policëve të rënë në detyrë, punonjësit e FNSH, punonjësit e RENEA, viktimat e dhunës në familje, anëtarët e komunitetit rom etj.

Me përparësi do të jenë familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi, familjet që banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje, familjet që kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore dhe familjet që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

Komisioni, në raportin e miratuar, vendos një afat prej 12 muajsh për miratimin e akteve nënligjore, për të bërë të munduar zbatimin e ligjit për strehimin. Po ashtu, në raport sqarohet se fondi i parë që do të akordohet nga qeveria për ndërtimin e banesave të reja është 5 miliardë lekë.

Mënyra e financimit të fondit të strehimit do të jetë me fonde nga buxheti i shtetit, nga njësitë e qeverisjes vendore, edhe nga donatorët. Ndërkaq, janë përcaktuar gjashtë programe të ndryshme strehimi, konkretisht programi i banesave sociale me qira, programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri, programi i banesave me kosto të ulët, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, programi për krijimin e banesave të përkohshme dhe programi i banesave të specializuara.
Ndalohet prishja e banesës pa siguruar strehimin e parë
Nisma për strehimin social ndalon në mënyrë të prerë prishjen e një banese të palegalizuar, pa u siguruar më parë strehim anëtarëve të familjes. Ligji ndalon dëbimin në çdo rast, vetëm nëse familjes së prekur nga procesi i zhvendosjes i ofrohet siguri. Pra, fadromat e INUV nuk mund të prishin një banesë pa garantuar më parë familjen që preket.

Nga ana tjetër, familjet që mbeten të pastreha nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, futen në grupin e parë të familjeve me përparësi për të përfituar nga skema e strehimit.

Aplikimi
Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sistemi i pikëzimit
Sistemi i pikëzimit hartohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, i specifikuar për çdo vit, për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore dhe për çdo program që zbatohet në ato, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Në hartimin e sistemit të pikëzimit duhet të mbahet në konsideratë edhe përzierja e grupeve të ndryshme sociale.

Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të sigurojë listat e përfituesve brenda një afati 2-mujor, nga data e njoftimit nga ana e subjektit publik ose privat që ofron dhe realizon një nga programet sociale të strehimit, kur ky subjekt nuk është vetë njësia e vetëqeverisjes vendore. Marrëdhënia e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit që financon projektin përcaktohet me marrëveshje të posaçme.

Hartimi i listës së përfituesve është një proces administrativ, që kryhet nga zyra përgjegjëse ose struktura e ngarkuar nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve dhe dokumentacioni përkatës vlerësohen nga komisioni i strehimit dhe miratohen nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Komisioni i strehimit ngrihet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe ka në përbërje përfaqësues të komuniteteve të interesuara. Përbërja, funksionimi dhe kompetencat e komisionit të strehimit përcaktohen me akt të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Kategoritë që kanë përparësi në subvencionimin e qirasë  

Individët me statusin e jetimit;
Personat me aftësi të kufizuara;
Të moshuarit;
Invalidët e punës;
Familjet e policëve të rënë në detyrë;
Emigrantët e rikthyer;
Punëtori emigrant;
Azilkërkuesit;
Familjet e komunitetit rom;

Familjet e komunitetit egjiptian;
Viktimat e dhunës në familje;
Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
Prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë;
Individët nga komuniteti i LGBT-ve, në nevojë për strehim;
Të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri;
Vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara.

Përfituesit nga programi i përmirësimit të kushteve të banimit

Personat me aftësi të kufizuara;
Individët me statusin e jetimit;
Familjet e policëve të rënë në detyrë;
Të moshuarit;
Komuniteti rom;
Komuniteti egjiptian;
Komunitetet e zonave rurale;
Prindërit e vetëm;
Viktimat e trafikimit dhe të dhunës.

Përfiton menjëherë grant për banesë me kosto të ulët

Një person me aftësi të kufizuar.
Një individ me statusin e jetimit, i cili, në momentin e aplikimit nuk ka mbushur moshën 30 vjeç;
Kryefamiljari vetëm, në rastin kur ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç;
Familjet e komunitetit rom ose egjiptian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat