TFL me pacientët e shërbimit paliativ: Na mungojnë aparaturat mjekësore

Shqipëria

TFL me pacientët e shërbimit paliativ: Na mungojnë aparaturat mjekësore

Më: 1 mars 2018 Në ora: 09:55
Usaid

Mungesa e ilaçeve, një nga problemet kryesore për pacientët me sëmundje malinje si dhe efektshmëria e tyre ishin disa nga shqetësimet kryesore që ngritën sot pacientët e shërbimit onkologjik në banesë. ‘’Ilaçet nuk na japin asnjë efekt, si t’i pish si mos t’i pish e njëjta gjë është” u shpreh njëri prej pacientëve. Ndërkohë që shqetësime të tjera që u thanë, në sesionin informues të organizuar nga Shoqata “Together for Life”, ishin mungesa e personelit mjekësor dhe fakti që nuk punohet me tre turne, por vetëm paradite duke u detyruar të gjejnë shërbime të tjera alternative. Ndërsa mungojnë edhe paisje mjekësore të tilla si oksigjeno terapia (bombolat e oksigjenit), ekografia, kolostomat, urostomat, sondat karrocat për pacientët etj.

Andi Muratej, ekspert në fushën e ligjeve shpjegoi për pacientët të drejtat e tyre ligjore duke treguar edhe rrugën që duhet ndjekur në rast se dikush mendon se të drejtat e tij janë mohuar apo shkelur. Pjesë e këtij aktiviteti ishin gjithashtu specialist të kujdesit shëndetësorë.

Herik Zotaj, mjek onkolog që punon në këtë shërbim, që prej fillesave, qëndroi në këtë bashkëbisedim, për tu treguar gjithashtu pacientëve, se mungesat në shërbimin shëndetësor, dhe që ndikojnë në drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit ndaj tyre, duhen artikuluar, si një formë kjo për të nisur rrugën e një zgjidhje.

Zotaj në fjalën e tij përmendi mungesën e disa pajisjeve mjekësore, të nevojshme për funksionimin e shërbimit paliativ. Ai theksoi se këto pajisje kushtojnë dhe klinika të vogla si ajo e Kujdesit Paliativ e kanë të vështirë t’i blejnë. Megjithëse, paradoksalisht është klinika më e madhe dhe më e specializuar në Republikën e Shqipërisë. Më tej duke folur për pjesën e hospitalizimit Zotaj u ndal të theksonte: “ Nëse ne kemi 1000 të sëmurë , minimum 50 nga këto kanë nevojë të hospitalizohen të paktën disa ditë ose javë, por në Shërbimin e Onkologjikut QSUT kjo mungon, pra nuk ka një pavion të posaçëm”.

Luan Carja, një prej pacientëve të pranishëm i cili solli rastin e babait të tij, e vuri theksin tek sorollatjet që u bëhen pacientëve për efekt burokracirash.

Sistemi i referimit vazhdon të artikulohet si problematik edhe nga pacientët me sëmundje malinje, pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë, përmes një nisme të fundit ka marrë përsipër të lehtësojë procedurat e sistemit të referimit, sipas pacientëve kjo ende nuk po reflektohet. Për ta vazhdon i njëjti kalvar sorollatjesh nëpër dyer institucionesh.

Ky sesion informues u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, pjesë e programit të USAID.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat