“Deti” në Presidencë. Meta pret deputetët e Komisionit të Jashtëm

Shqipëria

“Deti” në Presidencë. Meta pret deputetët e Komisionit të Jashtëm

Më: 2 mars 2018 Në ora: 09:56
Ilustrim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur orët e para të mëngjesit deputetët e Komisionit të Jashtëm për të biseduar në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë dhe komunikimin mes Kreut të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Ky vendim i Presidentit u mor pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe Presidentin në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati. Fillimisht, Presidenti pranoi kërkesën, por këshilltarët e tij kanë këmbëngulur që ai të ndryshonte qëndrim, duke i dhënë Presidentit Meta dy arsye.
E para, thirrja për seancë dëgjimore në komisione ka vlerën e një llogaridhënieje para deputetëve dhe kjo, sipas këshilltarëve të Presidentit, do ta ulte Kreun e Shtetit në rangun e një ministri.
E dyta, raportimi i Presidentit në një komision të Kuvendit do të përbënte një precedent me rrezik, duke e ekspozuar Presidentin ndaj thirrjeve të tjera të mundshme në të ardhmen, edhe për çështje që mund të mos ketë dëshirë të trajtojë.
Si zgjidhje është gjetur që Presidenti të ftojë Komisionin e Jashtëm në zyrën e tij për të trajtuar shqetësimet e Kreut të Shtetit mbi negociatat me Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat