4 vite nga tragjedia, Bashkim Dobrushi bëhet sërish baba. Historia tragjike e emigrantit shqiptar

Shqipëria

4 vite nga tragjedia, Bashkim Dobrushi bëhet sërish baba. Historia tragjike e emigrantit shqiptar

Më: 8 mars 2018 Në ora: 11:51
Familja e Bashkim Dobrushit

shte data 9 mars 2014 kur në Leço të Italisë, do të ndodhte një nga tragjeditë më të rënda të emigrantëve shqiptarë. Edlira Çopa, e cila aktualisht ndodhet në spitalin psikiatrik do të vriste me thikë tre vajzat e saj, të moshave 13, 10 e 3 anni. Babai i vajzave, Bashkim Dobrushi në prill do të bëhet me një vajzë. “Nuk kam dashur më të takoj Edlirën, për mua ajo ka vdekur”, ka thënë Bashkim Dobrushi për Corriere della Sera.

Shkruan Barbara Gerosa

“Do të lindë më 3 prill, në ditëlindjen e Simonës, vajzës së madhe, e vetmja që u përpoq të mbrohej nga e ëma, që e ndoqi dhe e vrau me thikë pa mëshirë”. Bashkim Dobrushi, 49 vjeç, e ka vështrimin të mjegulluar nga netët e shumta pa gjumë, por, kur flet për të voglin që pret të vijë në jetë, i ndizet shpresa. Përkëdhel dorën e Afërditës, gruas që re që prej një viti është bashkëshortja e tij, dhe na tregon fotografitë e tri vajzave:

Simona, Keisi e Sidny. Ishin 13, 10 e 3 vjeç kur nëna e tyre, Edlira Copa, i vrau. Më të voglat u vranë në gjumë. Goditja e fundit për më të madhen, e zgjuar nga furia vrastare e mamasë, e cila më pasi i mbuloi trupat e tyre në shtrat, të përqafuara me njëra-tjetrën, dhe qëndroi zgjuar pranë tyre për katër, para se të tentonte, pa sukses, të vriste edhe veten.

Buzëqeshja e tyre mbetet e kristalizuar në fotot që mbulojnë muret e banesës në komunitetin e vogël leçez të Maggianicos, ku babai jeton bashkë me familjen e vëllait dhe me bashkëshorten e re, edhe ajo shqiptare, e cila do t’i dhurojë një jetë të re.

Më 9 mars bëhen katër vjet nga tragjedia që ndodhi pak kilometra larg kësaj shtëpie ku Bashkimi po provon të gjejë normalitetin, pa harruar kurrë. “Më duket sikur ka ndodhur dje”, tregon. “Një natë i pashë në ëndërr. Po luanim bashkë, siç bënim shpesh. Pastaj u zgjova dhe u ftillova që asgjë nuk ishte reale. Nuk më vjen turp të them që vura kokën poshtë jastëkut dhe qava. Një boshllëk që nuk mund ta mbushë asgjë, as fëmija që po vjen, edhe pse do të ketë një vend special në zemrën time. Simona ishte në klasën e tetë dhe kishte talent në volejboll, me flokë të gjatë, shikim të zgjuar, një grua e vogël. Keisit i pëlqente vallëzimi, vdiq nga dhjetëra goditje me thikë. Sidny ishte princesha ime. Fjalëshumë dhe e ëmbël. E ngjashme me vajzën e vëllait tim, lindur pas tragjedisë. Edhe ajo më ka ndihmuar të eci përpara”.

Një jetë e mbetur gjatë pezull, si frymëmarrja e atij mëngjesi kur sapo kishte mbërritur në Shqipëri dhe e telefonuan nga Italia për t’i treguar tmerrin. “Nuk kisha shumë që isha nisur. Po kthehesha në shtëpi për t’i shpjeguar familjes sime motivet pse unë dhe Edlira kishim vendosur të ndaheshim. Kishim shumë mosmarrëveshje. I kishim firmosur dokumentet te avokati.

Një natë më parë shkova të merrja vajzat dhe darkuam bashkë. Të qeshurat e fundit. Herën tjetër që i pashë ishin në morg. Ndërsa nënën e tyre nuk kam dashur ta takoj më. Për mua është njësoj sikur të ketë vdekur edhe ajo atë natë të tmerrshme”, tund kokën Bashkimi.

Asnjë fjalë, asnjë shpjegim, asnjëherë. E liruar për humbje totale të mendjes, gruaja ndodhet aktualisht e mbyllur në një spital gjyqësor psikiatrik, sepse cilësohet e rrezikshme. Ndoshta më tepër për veten se sa për të tjerët. Tentoi të vriste veten me të njëjtën thikë që vrau vajzat, druhej se nuk mund t’u jepte një të ardhme, siç ka thënë e rrëmbyer nga marrëzia.

“Ishim ndarë, por nuk u kisha lënë asgjë mangët vajzave. Punoj në të njëjtën ndërmarrje prej 18 vjetësh, buka nuk më ka munguar kurrë dhe gjithmonë do të kujdesesha për to”, përpiqet të shpjegojë Bashkimi. “E vërteta është që nuk ekziston një “përse” dhe nuk ka ngushëllim. Megjithatë, duhet shkuar përpara. Pa frikë, pavarësisht dhimbjes. Si ia kam dalë?

Falë punës, miqve të shumtë që më qëndruan pranë, familjes, gruas sime që e njoha dy vjet më pas në vendlindje, të voglave të mia që pa dyshim do të donin të më shihnin të lumtur. Janë shumë njerëz që më kanë qëndruar pranë gjithë këto vite, ëngjëj që më kanë ruajtur këta vjet. Pastaj për pak muaj do të bëhem edhe qytetar italian, pikërisht sot më thanë se së shpejti mbërrijnë dokumentet. Ndihem pjesë e një komuniteti që kurrë nuk më ka lënë vetëm”.

Nuk ka gjë tjetër për të thënë. Bashkim po bëhet gati të niset për në Shqipëri. Kthehet në shtëpi, në Kukës, ku donte që të varroseshin vajzat e tij dhe ku do të kalojë ditën e përvjetorit tragjik. Por jo pa kaluar më parë për t’u përshëndetur me mikun më të afërt, atin Angelo Cupini, i cili në kopshtin e “Shtëpisë mbi pus”, pak metra nga shtëpia ku ndodhi vrasja, ka mbjellë një qershi për të kujtuar Simonën, Keisin e Sidnyn. Do të lulëzojë në pranverë, si jeta e re që pritet të çelë në krahët e këtij burri që nuk dëshiron tjetër veçse të dëgjojë ta thërrasin përsëri “babi”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat