Gazetarja feston ndryshe 8 marsin: Sot shkova tek shtëpia e foshnjave, tek të braktisurit nga nënat - Bota Sot
Gazetarja feston ndryshe 8 marsin: Sot shkova tek shtëpia e foshnjave, tek të braktisurit nga nënat

Shqipëria

E hënë, 24 shtator 2018

Gazetarja feston ndryshe 8 marsin: Sot shkova tek shtëpia e foshnjave, tek të braktisurit nga nënat

Më: 8 mars 2018 Në ora: 14:31
Ilustrim

8 Marsi na ka mbetur në kujtesë si dita e nënes. Ndaj sot shkova te Shtëpia e Foshnjës, aty ku gjithë fëmijët nga 1-6 vjec, janë braktisur nga nënat qysh në maternitet, ose lënë atje me interesim, sepse janë fëmijë nënash të vetme, që nuk i rrisin dot. Atje të gjithë i thonë mami Etlevës, drejtoreshës, ndaj shkova, të mos e lija vetëm në një ditë si kjo.
Mora dhe nënën time, që dikur ka qenë mësuese e gjuhës së Etlevës, asaj vajzës me sy bojëqielli e flokë të verdhë te “Lef Sallata”, që unë kisha qejf t’i lexoja hartimet.
Me mua ishte Ina e mrekullueshme e Veggies, që mbushi tavolinat me fruta dhe perime dhe bashkë lexuam përrallën e Pitilushes që kishte shoqe të ngushta domatet dhe mollët.

Pastaj fëmijët ju sulen bojërave të ujit dhe penelave të kancelarisë Infinit, ku blej gjithmonë lapsa për vajzën time.
Nuk bëra foto e video shumë, sepse fëmijët nuk duhen lënduar duke i bërë objekt portalesh, por duhen dashur e ndihmuar të duan.

Kur i shikoje me gratë që i mbanin në krahë, i ushqenin, i hiqnin pirunjtë nga duart, të dukeshin si gjithë fëmijët, me çdo përkujdesje siguruar nga Ministria e teta Ogertës, po kishin një gjë më pak, nuk kishin nenat.

Arti i vogel me lëkurë të bardhë e sybukur nuk ma lëshonte dorën, donte ta merrja me makinë e çoja te nëna Disha në Kosove, nëna që e kishte mbajtur për pak kohë, pasi nëna biologjike e lindi dhe braktisi në Prishtinë. Aty ku i vogli u rrit, por pa birësim e dokumente.
Tani është një 5-vjeçar që pret riatdhesimin dhe nuk po i gjejnë dot zgjidhje se nuk kanë asnjë të dhënë veç emrit Art shkruar në një copë letër, nga mami, që e la ne maternitet, kur qante dhe kërkonte gji.
Po pse moj mami Artit, pse nuk prite të rritej e të të thoshte gëzuar 8 Marsin, që ma tha mua sot?
 

Nuk të shkon në mendje kur fle, kur zgjohesh, kur ecën, kur qesh, që i vogli yt është bërë një yll. Të këput shpirtin kur të zgjat duart Arti, edhe Mikaeli, Alesia me termometër te krahu që nuk i lëshon përrallat dhe do të të puthë.

Të jesh grua nuk do të thotë të jesh nënë. Nënë nuk të bën dashuria, por përgjegjësia që merr.

Shumë vajza i kanë mbajtur fëmijët 9 muaj në pritje të një po- je, që nuk erdhi kurrë nga babai biologjik, pastaj i kanë braktisur dhe lënë barrën shtetit e shtëpive të kujdesit.

Po a ju shkonte ndërmend moj vajza, të abortonit? A e dini se aborti është mundësi për ju, po sidomos për të vegjlit tuaj, që nuk ju mjafton jeta se duan nënën.
Kush jam unë t’ju them, kthehuni e merrini, unë nuk ua them dot. S’kam të drejtë t’ju paragjykoj, se nuk ju di hallet.
As kam të drejtë t’ju them, abortoni.
Dua vetëm t’ju them që i takova sot fëmijët tuaj dhe janë mirë. Edhe unë jam më mirë, sot që shkova me nënën time, për ta falenderuar që më rriti, përballoi, duroi, deshi dhe tani merr urime prej 8 marsi prej vajzës së vajzës.
Sepse mëmësia është një udhë që bëhet pa kushte, shpesh pa mundësi, por bëhet, se nuk ka rrugë tjetër drejt dashurisë sublime të një nëne që të lind apo birëson, për një fëmije që pret me krahë hapur për të të thënë;  gëzuar 8 Marsin ma!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test