Detajet/ Kush është ndërtuesi që u arrestua, mashtrimi mijëra euro që e çoi në pranga

Shqipëria

Detajet/ Kush është ndërtuesi që u arrestua, mashtrimi mijëra euro që e çoi në pranga

Më: 9 mars 2018 Në ora: 09:46
Namik Pelivani

Policia e Tiranës arrestoi dje një ndërtues 65-vjeçar, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda dhe fshehje të të ardhurave, i proceduar edhe të paktën 5 herë të tjera për të njëjtat akuza.

I arrestuari është Namik Pelivani, i cili kësaj here është kallëzuar nga një qytetar për një apartament në zonën e Yzberishtit, që e kishte shitur dy herë. Burime nga Policia thanë se shtetasi me iniciale A.L. në kallëzimin e tij ka deklaruar se i ka paguar Namik Pelivanit rreth 80 mijë euro, saktësisht 65 mijë euro dhe 3.4 milionë lekë të rinj për një apartament.

Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe rreth 108 metër katrorë në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t’i krijuar besueshmëri klientit.

“Gjithashtu ky shtetas nuk ka përpiluar fatura shitjeje tatimore duke kryer transaksione monetare jashtë zyrave të noterit dhe jo me bankë, me qëllim shmangien e deklarimit të të ardhurave. Në cilësinë e provës materiale, të dyshuarit iu sekuestruan 6 kontrata noteriale, si dhe dokumente të ndryshme, si certifikata, skica apartamentesh, etj.. Theksojmë se ky shtetas është proceduar më parë edhe 5 herë të tjera për vepra të ndryshme penale”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

Policia e Tiranës arrestoi edhe më 10 mars të vitit 2015 ndërtuesin Namik Pelivani pas kallëzimit nga disa banorë të Unazës së Re me pretendimin se ishin mashtruar nga biznesmeni prej 6 vitesh. Sipas kallëzimit, që ata kishin bërë në Komisariatin nr.6, Pelivani u kishte premtuar disa banorëve se pas prishjes së banesave të tyre private për ndërtimin e pallatit nga firma e tij, do t’i jepte atyre apartamente në këtë pallat.

Ndërsa në fund kishte ndryshuar mendim, duke mos e njohur kontratën noteriale të nënshkruar në vitin 2009. Dy ditë para se ai të arrestohej në vitin 2015, dhjetë gra hynë në grevë urie në ambientet e pallatit ku prisnin të merrnin apartamente, për shkak të konfliktit që kishin me pronarin e firmës së ndërtimit.

Burime nga Policia e Tiranës thanë në atë kohë se bëhej fjalë për 17 familje, të cilat kishin dhënë shtëpitë e tyre për të ndërtuar një pallat në zonën Unazës së Re në kryeqytet, në këmbim të marrjes së sipërfaqeve të banimit, sipas një kontrate të nënshkruar me kompaninë e ndërtimit.

Por, për aq kohë sa pallati ka qenë në ndërtim, sipas një kontrate noteriale, pronari i firmës së ndërtimit, Namik Pelivani, u kishte paguar qiranë banorëve për të jetuar diku tjetër. Megjithatë, prej 4 vitesh, ai e kishte ndërprerë pagesën për qiranë dhe kur pritej të përfundonte së ndërtuari pallati, u kishte komunikuar se nuk do të marrin shtëpi në këtë objekt, por kur të ndërtojë objekte të tjerë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat