Lobimi i PD-së, Rama: Imazhi i Shqipërisë s’mund të cënohet nga mishmashe korruptive

Shqipëria

Lobimi i PD-së, Rama: Imazhi i Shqipërisë s’mund të cënohet nga mishmashe korruptive

Më: 9 mars 2018 Në ora: 17:17
Edi Rama

“Do të zbardhet deri në fund nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë, me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit”.

Kështu deklaroi të premten, Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” sjell video të qëndrimeve kontradiktore të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me kompanitë lobuese të kësaj force politike.

Që është një mishmash fundekrye korruptiv xhepash të errët, kjo nuk diskutohet, shkruan Rama, sepse vetë mishmashi sipas tij, “provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit”.

“Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore; Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht”, vijon Kryeministri.

Por, sipas tij, “kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme”.

Shqipëria, vijoi Rama, nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat