Takimi kokë më kokë Edi Rama – Saimir Tahiri, larg syrit të kamerave?!

Shqipëria

Takimi kokë më kokë Edi Rama – Saimir Tahiri, larg syrit të kamerave?!

Më: 10 mars 2018 Në ora: 08:44
Edi Rama dhe Saimir Tahiri

Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri zhvilluan një takim 1 orësh në mjediset e një spitali privat në Tiranë

Takimi misterioz zhvillohet në një kohë kur debati është përqëndruar në kapjen e një kontenieri me 613 kg kokainë të ardhur në Shqipëri nga Kolumbia.

Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri prej disa muajsh ndodhet nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lidhjet me Habilajt, ndërsa opozita ka paralajmëruar se dosja po mbyllet.

Po kush e organizoi takimin mes Ramës dhe Tahirit dhe për çfarë mund të kenë diskutuar bashkëpunëtorët më të afërt në mandatin e parë qeverisës të së majtës?

Një nga emrat që mund të ketë ndërmjetësuar është Gazmend Demi, biznesmen dhe President i Partizanit, klub në të cilin Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit është drejtor i përgjithshëm. Emri i Demit është përmendur edhe në ditët e para të nisjes së hetimeve për Tahirin, madje në atë kohë u raportua se ai u takua me Tahirin, pasi ky i fundit lëshoi një paralajmërim të qartë “s’keni parë gjë akoma”, pasi Edi Rama u distancua nga ish-ministri i tij i Brendshëm. Pas këtij takimi, Rama ndryshoi krejtësisht qëndrim, ndërsa shprehja e përdorur nga Tahiri thjesht ngeli një paralajmërim.

Por një tjetër emër që mund të ketë ndikuar në realizimin e këtij takimi mund të jetë deputeti Bashkim Fino, i cili njëherëz njihet në mjediset e PS-së si mbështetës i Tahirit, por jo vetëm, edhe një kundërshtar i Kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Pas problemeve që iu krijuan me drejtësinë si rezultat i përfshirjes së emrit të tij në përgjimet e anti-mafias italiane, Tahiri humbi një terren të konsiderueshëm në Partinë Socialiste, ndërsa rivali i tij përsa i takon influencës në këtë subjekt politik, Erjon Veliaj, u fuqizua së tepërmi. Skandali Tahiri e spostoi ish-ministrin e Brendshëm nga strukturat drejtuese, e la në hije në fushatën elektorale, terren ky që u kap menjëherë nga Kryebashkiaku. Ky i fundit u kthye në drejtues të fushatës së PS në Tiranë.

Por tashmë duket se Tahiri po kërkon rikthimin në terrenin politik të socialistëve dhe ndoshta takimi me Ramën në njërën anë dhe mbyllja e dosjes në anën tjetër, mund t’i krijojnë ‘komoditetin’ për të rifituar terrenin që ia rrëmbeu Kryebashkiaku.

Dhe ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që emra dhe figura të rëndësishme në PS-në aktuale, si ish-ministrja Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo deputeti Eduart Shalsi, të njohur për afërsinë që kanë me Ramën, por edhe me simpatinë apo mbështetjen ndaj Tahirit, të kenë marrë rolin e ndërmjetësit, për aq rol sa mund të luajnë në këtë drejtim.

Sot Veliaj ndodhet nën një akuzë publike të opozitës, për pastrimin e parave të drogës përmes lejeve ndërtimeve që ka miratuar në Tiranë dhe ndoshta në javët e ardhshme ai mund të ndodhet në një situatë që ishte dhe ndodhet Tahiri në aspektin e terrenit politik në PS.

Kjo mund të jetë lëvizja e rradhës së ish-ministrit të Brendshëm, i cili për muaj me rradhë veç akuzave të Prokurorisë, opozitës dhe faktorëve të tjerë, u ndesh edhe me kurthet që ia kishte ngritur brenda PS-së, rivali i tij, që mban detyrën e Kryebashkiakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat