Familjet pa ndihmë ekonomike, Basha në Lezhë: Do të ngremë zërin në Parlament

Shqipëria

Familjet pa ndihmë ekonomike, Basha në Lezhë: Do të ngremë zërin në Parlament

Më: 11 mars 2018 Në ora: 14:34
Lulzim Basha vizitoi disa familje në Lezhë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi disa familje në Lezhë që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike.

Rasti i Ardian Danit, është ai i babait që, pas vdekjes së bashkëshortes, rrit i vetëm 3 fëmijë të mitur. Pas heqjes së ndihmës ekonomike lypja në rrugë dhe shitja e gjakut është e vetmja mënyrë mbijetese për Ardianin.

“E kam bërë mbrëmë një copë byrek, rafti ja ku është bosh. Tek Kryqi i Kuq kam dhënë gjak. Për çfarë? Vetëm për të mbajtur fëmijët me një pako makarona. Frigoriferi nuk punon. Gjak trupi po jap, vetëm me rrit tre jetimë”, thotë babai i tre fëmijëve.

Agentina Bacaj është kryefamiljare, nënë e tre fëmijëve, e zhytur në dëshpërim pas heqjes së ndihmës ekonomike.

“Kam katër muaj pa paguar qira. Më japin bukë për sevap. Më mirë me shku me u mbyt me tre kalamaj”, thotë Agentina.

Basha: Jo, jo. Kemi ardhur për të thënë që jemi në krahun tënd e të fëmijëve të t’u. E rëndë është situata, por vetëm nuk të lëmë.

Një tjetër familjar i përjashtuar nga skema tregon se mbledh kanaçe për të mbijetuar dhe për të siguruar disa të ardhura për ilaçet e vajzës me sëmundje të rëndë.

“Ne më mirë me u mbyt në det” u shpreh i dëshpëruar kryefamiljari i pashpresë.

“Ne kemi ardhur për të qarë hallin me ju dhe për të ngritur zërin për ju. Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike”, tha kreu i PD.

Sipas Partisë Demokratike, qeveria nuk e ka bërë akoma transparencën e pikëve që ka nxjerrë jashtë skemës së ndihmës mbi 20 mijë familje të varfra. Në datën 15 mars, opozita ka thirrur në interpelancë Kryeministrin Edi Rama, për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat