“Luftoni fort kriminelët dhe pasurive të tyre që dëmtojnë dhe varfërojnë Shqipërinë”

Shqipëria

“Luftoni fort kriminelët dhe pasurive të tyre që dëmtojnë dhe varfërojnë Shqipërinë”

Më: 12 mars 2018 Në ora: 13:41
Christina Vasak

Ambasadorja franceze në Shqipëri, Christina Vasak, flet për marrëdhëniet me Shqipërinë, nivelin ende të ulët të investimeve franceze në Shqipëri, fushat ku mund të bashkëpunohet dhe si shtohet bashkëpunimi i gjithanshëm pas nënshkrimit të deklaratës së partneritetit strategjik në mars të vitit 2017

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, theksoi se  pa një shtet të së drejtës, Shqipëria, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e bëra me guxim dhe reformat, rrezikon të mbetet prapa. Në një intervistë për  “Albania Daily News”, diplomatja franceze theksoi se duhet përfunduar reforma në drejtësi dhe të ndëshkohen kriminelët si dhe pasuritë e tyre. Ajo foli edhe për fenomenin e rëndë të azilërkimit të shqiptarëve në Francë, ku vlerësoi bashkëpuninim mes dy vendeve.

Cilat janë disa nga ngjarjet më kryesore në marrëniet midis dy vendeve gjatë vitit të kaluar dhe cilat janë pritëshmëritë për 2018?

Nëse përdor një fjalë shqip, do t’i konsideroja marrëdhëniet dypalëshe si të “mira”. Përtej peripecive politike, këto marrëdhënie shumë të vjetra karakterizohen nga besimi reciprok dhe e kanë burimin e tyre në historinë e trazuar të Evropës. Deklarata e angazhimit politik e marsit 2017, si një dokument në formën e një programi, është pjesë e kësaj vazhdimësie. E njëjta gjë vlen edhe për takimet e ndryshme dypalëshe apo ndërkombëtare dhe vizitat e personaliteteve në Francë dhe Shqipëri. E kam fjalën sigurisht për vizitat e vitit të kaluar nga Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministri i Punëve të Brendshme në Paris, si dhe për vizitën në Tiranë të Ministrit të Brendshëm, numri dy në Qeverinë franceze. Në mes të prillit, ne presim vizitën e ministrit tonë të Evropës dhe Punëve të Jashtme, z. Le Drian, gjatë një turneu në Ballkan. Shpresojmë gjithashtu të presim në Shqipëri, në muajt e ardhshëm, Presidentin e Republikës. Në fushën ekonomike, Franca kujdeset që Shqipëria të përfitojë nga fondet strukturore evropiane (p.sh. përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH / EBRD) dhe të mund të përfitojë sa më shumë nga instrumentet e para-aderimit të Bashkimi Evropian. Të gjera dhe të shumta në numër, këto financime synojnë që Shqipëria, pas disa kohësh, t’u ofrojë qytetarëve të saj kushte jetese të ngjashme me ato të Evropës Perëndimore. Në mendje më vjen një projekt për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës, i cili duhet të përmirësojë jetën e përditshme të banorëve, ose hekurudha nga Tirana në portin e Durrësit, e cila duhet të kalojë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Këto projekte financohen nga BERZH. Për më tepër, menjëherë pas zgjedhjeve në dy vendet tona, ne kemi punuar me Komisionin për Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të zgjeruar dialogun mes pushteteve ligjvënëse. Një punë premtuese është bërë gjatë legjislaturës së mëparshme në Shqipëri (2013-2017). Varet nga ne që të vazhdojmë dhe t’i thellojmë këto marrëdhënie së bashku. Nga kjo pikëpamje, sistemi dydhomësh në Francë ofron një hapësirë më të gjerë manovrimi. Në momentin kur ka filluar “Pranvera e Frankofonisë”, unë do të dëshiroja të nënvizoja cilësinë dhe ambicien e marrëdhënieve në fushën e artit dhe kulturës. Një shembull i mirë është hapja më 5 mars e Sallës së leximit franceze në Bibliotekën Kombëtare.

Problemi i influksit të emigrantëve ilegalë shqiptarë dhe azilkërkuesit janë bërë shqetësim për Francën i shprehur nga autoritetet e vendit tuaj. A mund të flisni më gjërë mbi këtë shqetësim i shprehur edhe nga disa vende të tjera të Bashkimit Europian?

Franca ndjek nga shumë afër çështjen e imigracionit të parregullt me origjinë shqiptare. Që nga prezantimi në Paris më 20 korrik 2017 i planit të veprimit për të luftuar imigracionin e parregullt, shkëmbimet e shumta dhe takimet midis Ministrive të Brendshme shqiptare dhe franceze kanë bërë të mundur disa përparime në këtë çështje. Në nëntor të vitit 2017, tre Zëvendësministrat e Brendshëm kanë qenë me mision në Francë për të përgatitur vendosjen e oficerëve ndërlidhës shqiptarë, projekt ky i konkretizuar përmes një marrëveshjeje të nënshkruar në Tiranë më 15 dhjetor 2017 nga Ministri i Shtetit dhe Ministrër i Brendshëm, Gerard COLLOMB, dhe homologu i tij Fatmir XHAFAJ. Vendosja në Francë, në Paris, Lion dhe Metz, e këtyre oficerëve të policisë shqiptare është planifikuar të bëhet këtë muaj. Këto masa do të plotësojnë punën që bën Shërbimi i Sigurisë së Brendshëm, në veçanti oficeri ndërlidhës për emigracionin që është vendosur në Tiranë në shtator 2017. Ai punon ngushtë dhe në mirëkuptim me kolegët e tij shqiptarë. Me praninë e tij të rregullt pranë tyre në aeroportin e Rinasit dhe në portin e Durrësit, ai kontribuon në efektivitetin e planit të veprimit shqiptar. Përveç kësaj, në sajë të ardhjes së kolegut tonë, në janar 2018 ka filluar një program trajnimi në vendin e punës për policinë kufitare. Efektivët e policisë në aeroportin e Rinasit dhe portin e Durrësit u trajnuan në luftën kundër përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, në identifikim e personave dhe në zbatimin e rregullores sëShengenit. Ky program do të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare gjatë vitit 2018 dhe do të plotësojë trajnimetfranko-gjermane që zhvillohen në akademinë e policisë. Edhe pse të gjitha këto nisma ndihmojnë për të kufizuar emigrimin e parregullt, duhet të pranojmë se presioni në kufirin shqiptar nuk po ulet. Puna e policisë nuk është gjithçka. Vetëm, ajo nuk do të jetë në gjendje të merret me këtë çështje në afat të gjatë. Duhet që qeveria shqiptare të analizojë shkaqet e fenomenit dhe, nëpërmjet reformave të thella, të bëjë të mundur që popullsia, kryesisht të rinjtë, të mos tundohet më nga aventura e emigrimit të parregullt.

Si një vend Frankofon, brezat e vjetër por edhe të tjerë shikojnë tek Franca një model të qytetërimit, demokracisë dhe kulturës. Po ashtu, gjuha frënge është shumë popullore ne Shqipëri. A mund t’na flisni, ju lutem, për disa nga aktivitetet më të spikatura të realizuara gjatë vitit të kaluar këtu?   

Frankofonia është shumë më tepër se një gjuhë e përbashkët. Frëngjishtja, përhapja e së cilës është e  dukshme çdo ditë, është gjuha e Republikës Franceze, por e tejkalon atë pasi jeton dhe praktikohet në pesë kontinente dhe ka një status ndërkombëtar, duke filluar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Të nxisësh zhvillimin e frankofonisë në Shqipëri do të thotë të promovosh, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, shumëgjuhësinë në gjirin e brezave të rinj. Frëngjishtja është gjuha e dytë që mësohet në shkollë, pesë shkolla të mesme ofrojnë një seksion dygjuhësh frëngjisht-shqip dhe frëngjishtja është një nga gjuhët për vazhdimin e studimeve në arsimin e lartë në Shqipëri, si dhe në të gjitha vendet frankofone. Ekziston edhe një program edukimi i vazhdueshëm për mësuesit e frëngjishtes me qëllim për t’u ofruar nxënësve, fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve, në shkollë ose në rrjetin e pesë aleancave franceze, një mësimdhënie për marrjen e diplomave të dhëna nga Ministria franceze e Arsimit. Frankofonia nënkupton gjithashtu, siç e thoni edhe ju, parime dhe vlera të përbashkëta që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, me të drejtat e njeriut në dimensionin e tyre universal dhe me demokracinë. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse Shqipëria është anëtare e plotë e Frankofonisë dhe luan rolin e saj në organizmat e saj. Ambasadori juaj në Paris dhe Përfaqësuesit tuaj të Përhershëm në New York, Bruksel apo Paris do të flisnin më mirë se unë!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat