Shqipëria ka mungesë farmacish, në Tiranë ka me shumicë, në rrethe me “pikatore”

Shqipëria

Shqipëria ka mungesë farmacish, në Tiranë ka me shumicë, në rrethe me “pikatore”

Më: 12 mars 2018 Në ora: 18:54
ilustrim

Shqipëria ka numrin më të ulët të farmacive në Europë për 100 mijë banorë.

Kështu në vendin tonë shifrat flasin për rreth 59 farmaci për 100 mijë banorë, ndërkohë që vende të tjera të BE kanë një shifër shumë herë më të lartë  të farmacive duke ofruar më shumë shërbim për qytetarët pranë vendndodhjes së tyre. Por tregtimi i barnave me pakicë në vendin tonë ndesh në handikapin e mos shpërndarjes së duhur të farmacive në terren.

Sipas legjislacionit shqiptar të 2004, duhet të kishte një farmaci për tre mijë banorë. Shifër kjo që herë është tejkaluar e herë të tjera nuk është plotësuar.  Aktualisht në vendin tone rezultojnë rreth 1679 farmaci të regjistruara. Numri më i lartë i tyre është përqendruar në Tiranë duke bërë që të kemi një farmaci për rreth 995 banorë.  Tejngopje të tregut me farmaci ka qyteti i Peqinit dhe i Sarandës të cilët kanë respektivisht një farmaci për 654 dhe 659 banorë.

Ndërsa numrin më të vogël të farmacive për banorë e ka Malësia e Madhe. Ajo ka një farmaci për çdo 12333 banorë. Nëse bëjmë një analizë të shpërndarjes së farmacive në territorin shqiptar, mund të kemi një panoramë të qyteteve se ku mund të investohet më tepër në këtë sektor. Kështu pas Malësisë së Madhe me interes do të ishte që të investohej me hapjen e farmacive edhe në Skrapar, Mallakastër, Dibër e Mirditë.

Në këto qytete kemi: një farmaci për 10 mijë banorë në Skrapar, dhe një farmaci për 8 mijë banorë në Mallakastër e Dibër si dhe një farmaci për 7 mijë banorë në Mirditë. Në një kohë kur Shqipëria renditet në vendet me numrin më të ulët të farmacive për banorë. Tirana  është  e  para në listën e kryeqyteteve europiane  sa i përket numrit të farmacive, kështu  numërohen 136 farmaci për çdo 100 mijë banorë.

Përqendrimi  i spitaleve kryesore  publike dhe private në Tiranë ka bërë që edhe numri i farmacive të jetë kaq i lartë. Por në një kohë kur kemi një ulje të marzhit të fitimit për farmacitë  natyrshëm lind pyetja: Cilët janë faktorët që kanë bërë që të hapen kaq shumë farmaci në Tiranë? A dalin të gjitha me fitim këto farmaci të përqendruara në kryeqytet?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat