“Roli i Mediut dhe 4 pyetje për Bashën për lobimin në SHBA. Pse foto e Ramës me Obamën është akt më i rëndë”

Shqipëria

“Roli i Mediut dhe 4 pyetje për Bashën për lobimin në SHBA. Pse foto e Ramës me Obamën është akt më i rëndë”

Më: 13 mars 2018 Në ora: 11:33
Ilir Demalia

Ilir Demalia shkruan sot ne nje analize ne Gazeten Panorama se kryedemokrati Basha duhet te jape sqarime per lidhejt e tij me Muzin dhe lobimin prej 525 mije USD, per te cilin nuk dihet nga ka ardhur.

Por sipas tij fotoja e Bashes me Donald Trump eshte nje akt me pak i rende sesa foto e Rames me Obamen disa vjet me pare. “Absolutisht nuk e them këtë për të justifikuar Bashën, por zullumet dhe përgjegjësitë e Ramës për shkatërrimin e shtetit dhe rrumpallhones shtetërore janë shumë më shkatërruese se të Bashës”, shkruan Demalia.

NGA ILIR DEMALIA

Skandali i publikuar nga “Mother Jones” nuk është ndonjë zbulim që duhet të çuditet e tërë media; edhe sikur të jenë të vërteta lidhjet e Bashës për investime të oligarkëve rusë, kjo nuk mund të përkthehet që Basha është në shërbim të agjenturave ruse. Por çfarë ka ndodhur dhe a duhet të shpjegohet Basha për këtë skandal, dhe çfarë fshihet pas këtij skandali me xhambazin politik Nick Muzin?!! Nick Muzin, por edhe shumë anëtarë të stafit të Presidentit Trump të fushatës presidenciale dhe anëtarë të kabinetit Trump si President, janë nën hetim (deri tani 12 vetë), nga të cilët 5 e kanë pranuar që janë fajtorë për influencë nëpërmjet “donacioneve” të huaja dhe jo vetëm ruse, duke influencuar në zgjedhjen e Donald Trump si President i 45 i SHBA-së.

Kjo akuzë përbën krim dhe mund të shkojë deri në tradhti për bashkëpunëtorët e Presidetit Trump dhe pjesëtarë të familjes tij në qoftë se do të vërtetohet. Po kjo është çështje që do zgjidhet në Amerikë dhe… do të zgjidhet. Amerika, si shtet me themele të blinduara dhe pavarësi institucionesh dhe drejtësie, nuk pyet për Zotin e jo më për një president n.q.s cenon themelet dhe interesat e këtij shteti. E ka treguar me President Richard Nikson, në një kohë shumë delikate dhe një president me karrierë dhe vlera në politikën amerikane. Disa njerëzve të afërt të ekipit Trump iu është marrë pasaporta për të mos dalë jashtë Amerikës, ku flitet edhe për Nick Muzin.

Kjo është logjike, pasi çdo qytetar që është nën hetim për një çështje, nuk mund të dalë jashtë territorit pa u mbyllur çështja e hapur ndaj tij. Për të ardhur te Basha, duke lënë teoritë konspirative sipas devizës: “Nuk je fajtor, deri momentin që të provohesh fajtor”, le të shikojmë në shtrirje kohore politike të këtij 27-vjeçari për të kombinuar puzzels. Pagesat e lobingjeve dhe fushatave gjatë këtij tranzicioni nga partitë politike shqiptare dhe drejtuesit e saj, jo vetëm në aspektin e asaj se shpenzimet e këtyre partive për fushata e lobingje, për jetë luksoze dhe pasurimin e tyre dhe të familjarëve të tyre, nuk mund të justifikohen me një aritmetikë të thjeshtë dhe jo matematikë të lartë, me buxhetin e partive apo me të ardhurat personale për lukset dhe pasuritë e tyre private, e këtu bëhet fjalë vetëm për pjesën e dukshme “majën e ajsbergut”….

Fakti se të gjitha këto parti dhe kryesuesit e këtyre partive, akuzat e ndërsjella gjatë këtyre 27 vjetëve për korrupsion, kontrabandë dhe shfrytëzim të detyrave shtetërore etj., ka qenë vetëm një fushatë për propagandë me njëri-tjetrin për të justifikuar korrupsionin dhe krimin në shtet, si shkaktarë të këtij shkatërrimi të ngrehinës shtetërore, por edhe shoqërore dhe ekonomike e fizike të vendit. Kjo për vetë faktin, se kurrkush nga këta shkaktarë të katrahurës së këtyre 27 vjetëve nuk është dënuar për zullumet që kanë bërë dhe dëmin që i kanë sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kjo tregon qartë atë, se këta vazhdojmë në rrumpallhonen shtetërore të mosfunksionimit të shtetit të së drejtës me institucione të pavarura, duke sunduar si banda tribush kriminale. Duke e parë në këtë vështrim, Kryeministri Rama me Taulantin e partisë, por jo Shqipërisë, nuk duhet të ishin ekzaltuar aq shumë për artikullin e “Mother Jones”, po të shikonin sadopak nga vetja dhe partia e tyre. Fotografia e Ramës me Obamën është akt shumë më i rëndë se fotografia e Bashës më Trump. Absolutisht nuk e them këtë për të justifikuar Bashën, por zullumet dhe përgjegjësitë e Ramës për shkatërrimin e shtetit dhe rrumpallhones shtetërore janë shumë më shkatërruese se të Bashës.

Kjo nuk do të thotë se Basha nuk duhet të japë llogari për shumat e dhëna nga Nick Muzin, për një foto me President Donald Trump, dhe jo vetëm, por edhe për atë kur ka qenë në pushtet prej 10 vitesh si anëtar i kabinetit Berisha dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nuk mendoj se artikulli i “Mother Jones” duhet t’i “binte si bombë” medias si pjesë e bombës, që shumë-shumë brenda një muaji do të harrohet nga një tjetër skandal pasardhës dhe ky pas dy muajsh nga një tjetër skandal e kështu…

Kjo është historia e skandaleve, bëmave e gjëmave të politikanëve shqiptarë të këtyre 27 vjetëve. Kjo ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë sepse shqiptarët akoma nuk kanë ngritur shtetin e institucioneve për të funksionuar me një drejtësi të pavarur dhe të pakorruptuar dhe kompromentuar me politikën si shërbim i krimit politik nga parti-bandat politike. Kjo ka sjellë mosndëshkimin e krimit dhe korrupsionit, kontrabandës dhe drogës si një funksionim normal në një shtet anormal. Basha tashmë është në luftë në dy fronte dhe ndihet gjithnjë dhe më i dobët jo vetëm si opozitëbërës, por edhe si pozitë brenda opozitës.

Në një anë Edi Rama me partinë e tij, duke e shantazhuar me skandalin “Mother Jones”, dhe jo vetëm, kërkon ta detyrojë Bashën të nënshtrohet edhe më tej për të pranuar çfarë kërkon Rama, për vazhdimësinë e pushtetit tij, e kjo domethënë, shtrimin për më tej të rrugës së oligarkëve të krimit, që do të thotë, zhytjen dhe më thellë të shoqërisë në krizë dhe shkatërrimin dhe më tej të Tiranës dhe jo vetëm. Në anën tjetër, luftën brenda PD-së si një parti tashmë që shpërbëhet dita-ditës nga konfliktet e brendshme brenda saj dhe paaftësisë së njerëzve që ka rreth tij.

Bashës, në këtë situatë, i duhet së pari të heqë barrën e Nick Muzin, ku sipas shumë burimeve e ka të vështirë për të provuar të kundërtën e fakteve. Kështu e kanë këto punë. I mbyturi të mbyt për të shpëtuar vetë. Punë xhambazësh, nuk ka as principe, as moral. E dëgjova me vëmendje intervistën në “Opinion”, Bashën e tradhtonte inkoshienti në mënyrën se si kontradiktohej me veten. Ajo që më bëri përshtypje ishte rreth shumës së 525 mijë dollarëve. Në fillim, Basha tha se nuk dinte gjë për këtë. Kur Fevziu i nxori deklaratën e Nick Muzin, se ato para i kishte marrë për llogari të PD-së për të lobuar në Washington, nëpërmjet “Binarda Trade” në Edinburg të Skocisë, një kompani fantazmë me një kuti postare, Basha u përgjigj se këto para janë mbledhur nga shqiptaro-amerikanët dhe i janë dhënë Nick Muzin nëpërmjet kompanisë “Kuti Postare Binarda Trade”?!!

Kësaj i thonë të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë! Lindin pyetjet:

1. Përse paratë e mbledhura nga shqiptaro-amerikanët duhet të dërgoheshin në Edinburg të Skocisë për t’u rikthyer përsëri në Washington te Nick Muzin, për llogari të PD-së për lobim në Washington, kur New York është katër orë larg me makinë nga Washington?

2. Kur, ku dhe si janë mbledhur këto para si fundrising nga shqiptaro-amerikanët dhe a ka një listë?

3. A ka pasur një fundrisng të tillë, një darkë të tillë, Basha me komunitetin ku janë mbledhur 500 mijë dollarë dhe ku, dhe a janë deklaruar siç dhe duhet të deklarohen?

4. Ç’rol ka Fatmir Mehdiu? Për këto dhe të tjera pyetje që do t’i shtohen listës që kërkon përgjigje nga Basha, ndoshta edhe nga autoritetet amerikane, Basha duhet të jetë i përgatitur. Alibia që ngre Basha në lidhje me dijen, mosdijen, se ku e di unë së çfarë bën Muzin dhe pse i ka marrë nga “Binada Trade” dhe pastaj jo komuniteti e …tregon se megjithëse një jurist i zoti, Basha nuk mund të mbulojë me gjethe fiku një skandal pastrim parash nëpërmjet oligarkëve të politikave kriminale si krim politik shtetëror.

Rasti PD dhe Basha nuk është i vetëm, kjo është klasa jonë politike sot dhe vetë shteti si piramidë krimi. Tashmë e dimë si bëhen fotot me presidentin dhe për 100 mijë dollarë, mund të kesh dhe një mëngjes me të. Këtë, ata mund ta mohojnë, por e dinë mirë se kanë paguar dhe shuma të majme për ndërmjetësit. E këtu po të fusim edhe luksin e modës që bëhet në Parlament me veshjet, dalin shuma e majës së Ajsbergut të abuzimit politik të kësaj politike perverse dhe kriminale, që me pafytyrësinë e tyre, janë krijuesit e këtij mjerimi në pritje të skandalit të radhës së krimit shtetëror në shtetin-krim.

Rasti Basha i trajtuar veçmas si luftë bandash, vetëm se do t’i sjellë shqiptarët në një rreth vicioz të mizerjes dhe shkatërrimit të mëtejshëm. Kjo klasë politike duhet luftuar në bllok, duke filluar nga e keqja që duhet ndalur një orë e më parë, kontenieri Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat