Skema e ndihmës ekonomike, debate në parlament

Shqipëria

Skema e ndihmës ekonomike, debate në parlament

Më: 15 mars 2018 Në ora: 15:33
Kuvendi i Shqipërisë

Sikurse u paralajmërua rreth dy javë më parë, seanca e sotme parlamentare nisi me debate lidhur me skemën e ndihmës ekonomike.

Debati është kërkuar nga PD lidhur me çështjen e heqjes nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve, e cila pretendon që janë hequr pa të drejtë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha  tha se vendi ndodhet në në një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe qeveria kërkon ta fsheh duke sulmuar opozitën.

Duke folur për ndihmën ekonomike, Basha tha se masakra sociale e dhjetëra familjeve nga skema e ndihmës ekonomike nuk mund të zgjidhet si kacafytje me opozitë, si sundim ndaj opozitës.

“Prokupimi i qeverisë nuk është  ta zgjidh problemin, por ta hedh fajin diku tjetër dhe tani fajin për dhjetëra mijëra familje pa ndihmë ekonomike pa bukën e gojës dhe pa asnjë shpjegim pse janë hequr nga ndihma ekonomike, e ka opozita”, tha Basha.

“Është e vërtetë se reforma për ndihmën ekonomike nisi nga qeverisja jonë, por një nga kriteret kryesore ishte transparenca e sistemit të pikëzimit, që do t’ju tregonte qartësisht shqiptarëve se cilat janë kriteret dhe bazën e të cilave vendos nëse një familje përfiton apo jo ndihmën ekonomike. Është pikërisht mbajtja sekret e kësaj skeme nga Edi Rama dhe me urdhër të tij ka çuar në këtë masakër të vërtetë sociale, në një krim të shëmtuara ndaj dhjetëra vogëlushëve të Shqipërisë”, tha ai.

Duke iu drejtuar kryeministri Rama, Basha shtoi se  “kam patur mundësinë të vizitoj shumë pak prej tyre familjeve dhe i kam parë nga afër gjendjen e tyre, por t’i refuzon t’i takosh ata që ke hequr nga ndihma ekonomike sepse të prishin atë pak reputacion që të ka mbetur dhe ke humbur çdo kontakt me popullin tënd”.

“Ne nuk jemi këtu për të treguar motivet e mbrapshta, por jemi për të konstatuar të vërtetën siç është. BB vetëm një javë më parë deklaroi se 70% e familjeve më të varfra në Shqipëri janë përjashtuar nga ndihma ekonomike”, tha kreu i PD.

“Reforma e nisur në 2012, tani është marrë peng nga sundimi për të përdorur të  varfërit si mish për top, për t’ju hequr ndihmën ekonomike, për t’i nënshtruar për t’i përbuzur më qëllim që ti blesh në zgjedhjet lokale dhe kjo është skema politike që po përdorë qeveria”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentarë të PD-së Edmond Spaho tha se përjashtimi nga skema ekonomike e 20 mijë familjeve është jo transparente dhe bie ndesh me standardet sociale të përcaktuar në neni 52 të Kushtetutës.

“Partia Demokratike nuk është kundër reformimit të skemës ekonomike, përkundra ne kemi inicuar reformimin e saj që jo vetëm të rritet masa e shpërblimit për person, por kemi kërkuar të rriten dhe fondet në tërësi. PD është kundër atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike në mënyrë të paligjshme, por është përgjegjësi e qeverisë që të pastrojë skemën nga abuzuesit”, tha Spaho.

“Kemi vizituar familje të varfra gjatë këtij muaj, por sot realisht janë 30 mijë familje që janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike dhe nga 7960 vetëm 4940 janë në skemën e ndihmës ekonomike. Pavarësisht retorikës së qeverisë ato janë nga grupet më të varfra të vendit. Nëse do të ishim një vend do të rrisë punësimi, rritë të ardhurat do të ishte normale shkurtimi i numrit të tyre, por ky nuk është rasti i Shqipërisë pasi është rritur varfëria është rritur numri i njerëzve në nevojë, është rritur numri i atyre që s’kanë me çfarë paguajnë ushqimin, ujin, energjinë”, tha ai.

Po ashtu, Spaho tha se duke i referuar të dhënave nga bashkitë,  numri i njerëzve me ndihmë ekonomike është shkurtuar në të gjithë vendin.

LSI: Fondi i ndihmës ekonomike të shkojë rreth 2% PBB

Lëvizja Socialiste për Integrim propozon që fondi i ndihmës ekonomike të jetë rreth 2% PBB ose 240 dollarë për një familje me katër anëtarë.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se Shqipëria është vendi i problemeve që nuk zgjidhen kurrë, por sot kam zgjedhur të flas për varfërinë dhe papunësinë që ka pllakosur kudo. “ Qeveria ka nxjerrë nga skema ekonomikë 20 mijë familja. Nuk ka gjë më të kushtueshme sa varfëria për një shoqëri, por dhe sa  më të varfër të jenë shqiptarë aq më shumë blihen në zgjedhje që po afrojnë dhe ky është qëllimi”, tha ajo.

“Ne nuk kemi tollona si në kohë të diktaturës, por kemi njerëz që blejnë me lista, tha Kryemadhi.  “Qeveria kërkon të na bindi se po reformon sistemin social, ku sipas statistikave zyrtare ne jemi të fundit në Europë për buxhetimin social, në raport me popullsinë” tha ajo.

“Nëse për ato 20 mijë familje i hoqi nga skema, të jemi të sigurt se dhe ato 60 mijë familje që i mbijetuan skemës serish do vënë në gjumë fëmijët e pa ushqyer”, tha ajo.

Ajo shtoi se “ne kemi shpalosur plani tonë ekonomik, reduktimin e varfërisë, reduktimin e taksave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, për të tërhequr investimet e huaja dhe për të hapur vende të reja punë, kryesisht për të rinjtë tanë që po braktisin vendin”.

Po ashtu, Kryemadhi shtoi se ne kemi prezantuar planin konkret kundër varfërisë e cila nuk jep lëmosh por një ndihmë ekonomike dinjitoze.

“Kemi një qasje krejt ndryshe nga skema aktuale. Ne mund ti japim fund varfërisë nëse fondi i ndihmës do shkojë rreth 2% PBB. Kjo do të thotë se 80 mijë familje me katër anëtar do u jepet nga qeveria 240 dollarë në muaj në mënyrë të tillë për të kaluar pragun e varfërisë absolute. Kështu 300 mijë të varfër do dilnin nga varfëria” tha Kryemadhi.

Gjithashtu, Kryemadhi tha se “shpëtimi nga varfëria absolute të 14% të popullsisë është financiarisht e mundur dhe realisht e realizueshme. Mjafton të kursejmë dy koncesionet abuzive të shëndetësisë dhe kjo skemë do jetë efikase dhe impakti do jetë i shpejtë në konsumin e tyre ekonomik”.

“Kjo skemë do jetë e vlefshme vetëm për dy vite, pasi ne besojmë se këta familje gjatë kësaj periudhe do ju jepet një shans punësimi, përmes trajnimeve kualifikimeve” tha në fund Kryemadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat