Kryeprokurorja Marku flet për dosjet e Gërdecit dhe 21 Janarit

Shqipëria

Kryeprokurorja Marku flet për dosjet e Gërdecit dhe 21 Janarit

Më: 15 mars 2018 Në ora: 23:51
Arta Marku

Krahas dosjeve të reja të cilat po hetohen, në tavolinat e prokurorëve ka dosje të vjetra të cilat po rimerren në shqyrtim.

Kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku në intervistën e parë të enjten në mbrëmje, në një nga programet televizive, tha se drejtësia para se të jetë veprim konkret është procedurë.

“Ka një numër dosjesh si kjo e Gërdecit të cilat kanë dominuar opinionin publik, që nga fillimi, që nga hapja e këtyre dosjeve. Shumë persona kanë dhënë opinione, gjykime, mendime në lidhje me ecurinë e këtyre dosjeve. Unë natyrisht që nuk mund të jap një mendim, një zgjidhje në  këtë moment, pasi në demokraci gjithçka ndodh. Por, drejtësia para se të jetë veprim është procedurë dhe pavarësisht vullnetit individual apo institucional, nëse kjo nuk përkthehet në procedurë, është e destinuar të dështojë. Këto çështje natyrisht po hetohen nëse ka mjete juridike të ezauruara, te paezauruara, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe a ka mundësi që prokuroria t’i përdorë këto mjete në drejtim të hapjes së këtyre dosjeve? megjithatë kjo çështje po shqyrtohet nga ana jonë, nga ana teknike dhe juridike”, ka deklaruar Marku.

Kryeprokurorja foli edhe për 21 janarit, çështje për të cilën tha se “ne po përpiqemi të gjejmë nëse ka mjete të zakonshme apo të jashtëzakonshme të pa ezauruara dhe nëse do të ketë një hapësirë për t’u ezauruar, atëherë vullneti është që të përdoren”.

Ndër çështjet e prekura nga ana e saj, ishte edhe deklarata e ambasadorit amerikan lidhur me kapjen e peshqve të mëdhenj, për të cilat Marku tha se prokuroria po punon çdo ditë.

“Unë mund t’iu them që hetimi nuk është fushatë, Prokuroria punon çdo ditë me dosje të mëdha, të vogla, me këdo qytetar  që i është cenuar interesi. Nëse do të ketë peshq të mëdhenj, kjo do të shihen në vazhdim. Nuk më pëlqen të flas por të veproj, dhe kur të veproj do të flitet më pas”, ka sqaruar ajo.

Lidhur me çështjet e reja për të cilat prokuroria po heton, ajo konfirmoi hetimet edhe për kontratat lobuese të Partisë Demokratike ku pretendohet ndërhyrja ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat