PD tërheq nismën për ndryshimin e datës për rikujtimin e viktimave të komunizmit

Shqipëria

PD tërheq nismën për ndryshimin e datës për rikujtimin e viktimave të komunizmit

Më: 16 mars 2018 Në ora: 11:12
Partia Demokratike

Partia Demokratike, ne bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer ka ngritur një grup pune për hartimin e ligjit “Për ndalimin e simboleve të komunizmit dhe përkujtimit të viktimave të komunizmit.

Grupi i punës drejtohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj dhe sapo të përfundojë drafti do tëe diskutohet me ish-të përndjekurit politikë. Për këtë arsye, PD tërhoqi sot një nismë të ngjashme të disa deputetëve të saj.

Që nga viti 2010 si ditë e përkujtimit të viktimave të komunizmit ishte shpallur data 20 shkurt, dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Por pak ditë më parë, disa deputetë të PD-së kishin depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një nismë ligjore për të ndryshuar këtë datë, e për të vendosur 26 shkurtin, ditën e kur regjimi i Enver Hoxhës vrau 22 intelektualë.

Por burime nga PD-ja kanë bërë të ditur për SYRI.net se PD ka tërhequr nga Kuvendi nismën e 9 deputetëve të saj mes të cilëve edhe Edi Paloka, Grida Duma, Ervin Salianji, Flamur Noka, Genc Pollo, Edmond Spaho.

Çfarë ishte nisma:

Nëntë deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Edi Paloka, Grida Duma, Ervin Salianji, Flamur Noka, Genc Pollo, Edmond Spaho etj., kanë depozituar një projektligj në Kuvend, ku kërkojnë ndryshimin e datës për përkujtimin e viktimave të regjimit komunist.

Ata kërkojnë shfuqizimin e nenit e të ligjit nr. 10 241, datë 25.2.2010 për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri, i propozuar nga asokohe nga qeveria Berisha, i miratuar nga Parlamenti i dominuar nga PD si dhe i dekretuar nga ish-Presidenti Bamir Topi.

Neni 3 parashikon që ‘Këshilli i Ministrave shpall datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, si “Dita e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Përkujtimi i kësaj date, sipas ligjit, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi’.

Befasia qëndron në faktin se 9 deputetë demokratë i kërkojnë Parlamentit që të shfuqizojnë në tërësi nenin 3 të ligjit nr. 10 241, datë 25.2.2010, duke përfshirë edhe paragrafin që parashikon përkujtimin e datës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, që çoj më pas në rënien graduale të regjimit komunist në Shqipëri.

Ndërkaq, në vend të datës 20 shkurt, deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë që të caktohet data 26 shkurt si dita e kujtesës së viktimave të regjimit komunist. 26 shkurti është dita kur u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë të shquar, me pretekstin se u implikuan në hedhjen e një cope dinamiti ne oborrin e Ambasadës Sovjetike në vitin 1951. Për mbështetjen e këtij propozimi, deputetë e PD kanë depozituar në Kuvend edhe një shpjegim të detajuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat