Meta në Forumin e 6-të Global: Projekti evropian pa zgjerimin në Ballkan, është një punë e papërfunduar

Shqipëria

Meta në Forumin e 6-të Global: Projekti evropian pa zgjerimin në Ballkan, është një punë e papërfunduar

Më: 17 mars 2018 Në ora: 12:26
Ilir Meta

Presidenti Meta ishte folësi kryesor në Panelin e veçantë dedikuar Ballkanit në Forumin e 6-të Global të Baku-së me temë: “E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit – bosht i sigurisë rajonale apo një fushë e re shahu gjeopolitik”.

Në fjalën e tij Presidenti Meta theksoi se projekti ynë i përbashkët, pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës, është integrimi në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë” – nënvizoi Presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “projekti evropian, pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit, është një punë e papërfunduar. Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë. Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha.”

Në fjalën e tij Presidenti Meta u ndal edhe në projektin madhor TAP, duke theksuar se “Realizimi i gazsjellësit TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por edhe me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe të sigurisë energjetike të vetë BE-së”.

Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencilisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar. Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona – theksoi Presidenti Meta.

Lidhur me zhvillimin e rajonit, Presidenti Meta, vlerësoi se Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin, duke shtuar se, ne inkurajojmë dhe mirëpresim investime nga të gjitha fuqitë emergjente ekonomike. Natyrisht ato nuk mund të përplasen me axhendën tonë të përbashkët Euro-Atlantike dhe me aspiratat demokratike të qytetarëve tanë.

“Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale. Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit.” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE.

“Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e  njerëzve” – u shpreh Presidenti Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat