Thellohet skandali, zbardhet dosja tjetër e zyrtarëve të Lezhës për abuzime me tokat

Shqipëria

Thellohet skandali, zbardhet dosja tjetër e zyrtarëve të Lezhës për abuzime me tokat

Më: 18 mars 2018 Në ora: 09:28
Lezhë

Një dosje e dytë që flet për abuzimet me pronat në bregdetin e Lezhës, pritet të konkretizohet nga prokuroria e këktij qyteti në ditët në vijim.

Bëhet fjalë për zyrtarë të hipotekës Lezhë, por edhe punonjës të kadastrave të disa komunave të këtij qarku, që kanë lëshuar AMTP të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e pronave në zonën e kënetës së “Kunes” në Lezhë. Bëhet fjalë për mijëra metra katror tokë, që i janë marrë shtetit dhe rregjistruar në emër të individëve të ndryshëm.

Në shumë nga këto prona, janë tjetërsuar dhe kanale kulluese dhe toka ranishte, të cilat janë rregjistruar si me qënë toka bujqësore. Një auditim i Kontrollit të Lartë i Shtetit, i cili në qershor të 2017 e konkretizoi me një kallëzim në prokurorinë e Lezhës, zbuloi megaskemën kriminale të zyrtarëve të hipotekës së këtij qyteti. Sipas kallëzimit që KLSH ka depozituar në këtë prokurori thuhet se në hipotekën e Lezhës, mungojnë plot 1045 praktika të ndryshme dokumentare,për të cilat nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur me këto prona.

Lidhur me regjistrimin e pasurive të paluajtshme të konstatuara, nga ZVRPP Lezhë është bërë tjetërsimi apo kalimi nga pronari shtet në pronësi private apo dhe regjistrime të tjera, kur dokumentacioni i aplikuar për regjistrim ka rezultuar haptazi në kundërshtim me ligjin apo me mangësi të cilat edhe pse i kanë bërë aktet të paaplikueshme për regjistrim, janë regjistruar duke u pajisur përfituesit me dokumente pronësore.

Personat që janë duke u ndjekur penalisht, nga ku pritet që ky operacion të konkretizohet në ditët në vijim janë Nikolin Shtjefni, me detyrë ish-Regjistrues i ZVRPP Lezhë, Edison Kola, Erisa Leka,Fran Zefi,Ermando Jakaj, Enkelejd Zefi, Kodiana Ë,Blerina Rroku, Nikoll Ndreca, Aleksandër Ndoka.
14 raste e abuzimit

Në 14 raste ka regjistruar pasuri të paluajtshme, duke lëshuar certifikata pronësie, në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi(AMTP-të), që kanë shërbyer për regjistrimin e këtyre pasurive, nuk shërbejnë si Titull Pronësie, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, për rrjedhojë është tjetërsuar pasuria “shtet” me sipërfaqe totale 421.154 m2, duke regjistruar në favor të poseduesve të AMTP-ve 27 pasuri, të cilat në regjistrat përkatës deri 1.08.1991 figurojnë: të llojit “Pyll” me sipërfaqe totale 244.331 m2; të  llojit “Ranishte” me sipërfaqe totale 75527 m2; të  llojit “kënetë” me sipërfaqe totale 55077 m2, të llojit “kullotë” me sipërfaqe totale 41439 m2 dhe të llojit “kanal” me sipërfaqe totale 4780 m2, ndërsa në të gjitha rastet është lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë.Në 2 raste ka regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve përkatëse, që ju përkasin familjeve bujqësore që kanë poseduar më shumë se 2 AMTP , duke përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 94712 m

Si rrëmbeu çifti Ceraj 17257 metra në kënetë

Dy bashkëshortët Ceraj mendohet se nëpërmjet AMTP-ve kanë arritur të rregjistrojnë një sipërfaqe tokësore prej 17.257 metra katrore në zonën e këneës së Kunes në Lezhë. Por AMTP shërbejnë si titull pronësie për të regjistruar pasuri të llojit “Tokë Bujqësore”, që figuron si e tillë në regjistrat përkatës deri 1.08.1991, për rrjedhojë ZVRPP Lezhë, nuk duhet të regjistronte pasuri të llojit “Kënetë”, duke e tjetërsuar nga pronësia “shtet” tek poseduesi i AMTP-së, që ka sjellë regjistrimin e pasurisë nr. 105/1, ZK nr. 1986, duke lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë  me sipërfaqe totale prej 8500 m2, e cila rezulton pasuri e llojit “Kënetë”, veprim në papajtueshmëri me ligjin.

Nga kontrolli i dokumentacionit rezulton se në pronësi të Domenika Ceraj(e cila nuk rezulton Kryetar i familjes bujqësore), janë lëshuar 2 AMTP, duke përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe totale 3757 m2, e cila është lëshuar nga Komisioni i Tokës së Fshatit Shënkoll duke përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe totale 8500 m2, e cila është lëshuar nga Komisioni i Tokës së Fshatit Grykë Lumi. Ndërsa për K/Familjarin Fran Ndue Ceraj është lëshuar AMTP tjetër, duke përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe totale 5000 m2, e cila është lëshuar nga Komisioni i Tokës së Fshatit Grykë Lumi.

Nga kontrolli i kartelave të pasurive të paluajtshme rezulton se, në kartelën e pasurisë së paluajtshme (KPP) është regjistruar ara me sipërfaqe 3519 m2, në pronësi të Domenika Ceraj.Në të njëjtën kohë hipoteka e Lezhës ka rregjistruar arën me sipërfaqe me sipërfaqe 5000 m2, në pronësi të Fran Ceraj, brenda një trungu familjar, duke përfituar në total tokë bujqësore me sipërfaqe 17257 m2. Në dokumentacionin e dosjes mungon certifikata familjare, që për të përcaktuar gjendjen familjare të dy personave.

Hipoteka e Lezhës nuk duhet të bënte regjistrimin e pasurisë të paluajtshme dhe nuk duhet të lëshonte certifikatë pronësie, por duhet ti kërkonte Komisionit vendorë të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) pranë Prefektit të Qarkut Lezhë, në emër të Domenika Ceraj.

Hipotekim të kanaleve pyjeve, kënetë e rranishte

Në 9 raste hipoteka e Lezhës ka regjistruar pasuri të paluajtëshme, duke lëshuar certifikata pronësie, në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi(AMTP-të), që kanë shërbyer për regjistrimin e këtyre pasurive, nuk shërbejnë si Titull Pronësie, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, për rrjedhojë është tjetërsuar pasuria “shtet” me sipërfaqe totale 151572 m2, duke regjistruar në favor të poseduesëve të AMTP-ve 12 pasuri, të cilat në regjistrat përkatës deri 1.08.1991 figurojnë:

të llojit “Pyll” me sipërfaqe totale 6400 m2, të llojit “Ranishte” me sipërfaqe totale 110948 m2; të  llojit “kënetë” me sipërfaqe totale 25724 m2 dhe të llojit “kanal” me sipërfaqe totale 8500 m2, ndërsa në të gjitha rastet është lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë, veprim në papajtueshmëri me ligjin.

Abuzimet e juristes Klodiana Ë

Veprimet në KPP janë bërë nga Klodiana Ë me detyrë juriste e larguar nga puna. Origjina e këtyre pasurive rrjedh nga Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr. 13672, datë 23.04.2004, lëshuar në emër të Dile Gjok Nika, që ka përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe totale 6000 m2.

Sa trajtuar, arrihet në përfundimin se, AMTP shërben si Titull Pronësie për të regjistruar pasuri llojit “Tokë Bujqësore”, që figuron si e tillë në regjistrat përkatës deri 1.08.1991, për rrjedhojë ZVRPP Lezhë nuk duhet të regjistronte pasuri të llojit “Kënetë”, duke e tjetërsuar nga pronësia “shtet” tek poseduesi i AMTP-së, që ka sjellë regjistrimin e pasurisë nr. 9/113, ZK nr. 8632 dhe lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë  me sipërfaqe totale prej 6000 m2, e cila rezulton pasuri e llojit “Kënetë”, veprim në papajtueshmëri ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat