“E premtja e prangave dhe peshqit e vegjël. Pse goditja nisi nga Lezha, as Rama e as Basha…”

Shqipëria

“E premtja e prangave dhe peshqit e vegjël. Pse goditja nisi nga Lezha, as Rama e as Basha…”

Më: 21 mars 2018 Në ora: 08:01
Roland Qafoku

Arrestimi i 12 zyrtarëve dhe 11 të tjerëve të shpallur në kërkim në bashkinë e Lezhës, është një nga goditjet më të mëdha bërë kohët e fundit, nga policia dhe drejtësia shqiptare. E quajmë goditje se, sa për dukurinë pas vitit 1990, ai është kthyer një aktivitet kriminal “normal” me përmasa të frikshme. Tokë arë apo tokë rërë, kullotë apo pyje, troje e deri maja malesh, lugina lumenjsh, katarakte e ujëvara e deri pjesë liqeni e deti, janë kthyer në këto 28 vjet në prona private, ku shumë kush ka mundur t’i vjedhë dhe grabitur. Ironia është se, jo vetëm që prangat nuk u janë shtrënguar në kyçet e duarve, por as gjembi nuk u ka hyrë në këmbë. Ky lloj sporti, u kthye në një garë kombëtare që, më i zoti, më i forti, më i shkathëti dhe më i shpejti vodhi, grabiti, falsifikoi e abuzoi, për t’u bërë pronar i madh tokash dhe pronar i madh parash, pa asnjë trashëgimi e pa derdhur asnjë pikë djerse.  Studimet serioze thonë se, toka dhe sjellja ndaj ligjit e ndaj saj, është arsyeja kryesore e situatës që Shqipëria, në vend të bëjë hapa para, bënë prapa. Toka dhe sjellja e lidhur ndaj saj, ka bërë që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE, rrjedhimisht të mos ketë begati e prosperitet dhe të ketë nivel të lartë të krimit. Prandaj, operacioni i Policisë dhe Prokurorisë shqiptare në bashkinë e Lezhës, duhet të përshëndetet. Asnjë diskutim politik nuk duhet të ndikojë në të gjithë këtë super proces, më të madhin që kemi parë në këto 28 vjet.  Tentativa për ta politizuar procesin, për t’i bërë punonjësit që kanë abuzuar me detyrën shtetërore, si viktimë politike të opozitës dhe për ta cilësuar sulm të kryeministrit, Edi Rama, dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, na kthejnë në vitin 1998, kur arrestimi i 6 funksionarëve të PD-së, si përgjegjës për ngjarjet e vitit 1997, u kthye në një betejë për jetë e vdekje, mes Partisë Demokratike dhe qeverisë së Fatos Nanos. Nuk po diskutojmë, nëse të gjashtët u arrestuan me apo jo të drejtë, por për faktin se sot, ne nuk kemi asnjë përgjegjës për katrahurën më të madhe që ndodhi në historinë e Shqipërisë. Edhe sot, faji për atë që ndodhi në vitin e çmendur 1997, është jetim. Dhe një nga arsyet ishte se, opozita e asaj kohe protestoi dhe kërcënoi deri në një 1997-të të dytë, nëse ata 6 nuk do liroheshin. Fakti që çështja në atë kohë u mbyll me ndërhyrjen e OSBE-së për qetësimin e situatës politike, ishte një shenjë se, drejtësia në Shqipëri ishte një qilim për ta shkelur me këmbë dhe shthurur me dorë dhe jo për ta vënë në zbatim. Kjo gjë ka ndodhur rregullisht nga ajo kohë dhe pandëshkueshmëria është sporti i dytë pas vjedhjes që është ushtruar më shumë në Shqipëri.  Në këtë mënyrë, të 12-të zyrtarët e arrestuar dhe ata që janë në kërkim, duhet të lihen vetëm në dorë të drejtësisë dhe vetëm ajo është kompetentja, nëse ata kanë abuzuar apo jo. A kanë vjedhur dhe abuzuar me detyrën, këtë as kryeministri Rama me qeverinë e tij, as kreu i opozitës, Lulzim Basha, me opozitën e tij, nuk mund ta vendosin këtë. Ata nuk kanë asnjë të drejtë morale, ligjore e deri politike, ta komentojnë procesin e jo më të bëjnë presion. Ndryshe, nëse këtë do ta bëjnë, do të ishte një turp politik me pasoja për vendin.

GODITJA E MADHE

Sot, ne mund të themi se, kemi të bëjmë padyshim me një goditje të madhe të drejtësisë. Por ajo që lë shije të hidhur është se, vërtetë kemi një goditje të madhe, por ajo që përfaqësojnë të arrestuarit, janë peshq të vegjël. Në shumatoren e aktiviteteve kriminale në vendin tonë, bashkë me mafien e tokave, është edhe mafia e drogës, mafia e prostitucionit, e klandestinëve, e falsifikatorëve dhe mafia e të gjitha fushave, ku krimi është shpërndarë si kapilarët e gjakut në trupin e njeriut. Megjithatë, mes gjithë këtyre mafieve, ajo e tokave është dhe mbetet mafia që ka i bërë dëmin më të madh këtij vendi. Prandaj, ajo që bëri Policia dhe Prokuroria në Lezhë, është padyshim goditje e madhe dhe 16 marsi, do të mbahet mend si e premtja e prangave.

PESHQIT E VEGJËL

Nuk ka vend për asnjë melankolizëm. Nëse drejtësia godet me vonesë, kjo nuk do të thotë që ajo ka bërë gabim. Nëse zyrtarët e bashkisë së Lezhës do të rezultojnë me ose pa faj, kjo do të mësohet nga ecuria e procesit. Megjithatë, gjithë ky mega proces ka disa hije dhe pikëpyetje. Pyetja e madhe është: Përse drejtësia nisi nga bashkia e Lezhës? Përse nuk nisi me bashki të tjera? A është ky rasti që drejtësia e nisi duke këputur me fijen më të dobët dhe me një bashki që drejtohet nga opozita? Përse nuk e nisi me bashki shumë herë të më rëndësishme, më të mëdha dhe më me problematike me pronat dhe tokat, se sa kjo e Lezhës? A do ishte normale që, ata që janë përfolur më shumë të ishin edhe përpara drejtësisë? Që nga viti 1992 e këtej, bashkitë e Durrësit, Vlorës, Himarës, Kavajës, Elbasanit kanë qenë shpesh herë pjesë e raportimeve të medias dhe raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzime me tokat dhe pronat. Po përse operacioni nuk nisi në këto bashki, por pikërisht në Lezhë? A kemi të bëjmë me një super operacion me prapavijë hakmarrjeje? Të gjitha këto pyetje, duan përgjigje. Përgjigje që, nëse ky operacion nuk vazhdon dhe nuk shtrihet në të gjithë vendin, opozita ka të drejtën e zotit të thotë se, këto arrestime janë të politizuara dhe si të tillë, selektimi ka qenë kushti numër një, që ky aksion u ndërmor. Në të kundërt, ai do ketë sukses dhe do cilësohet si një aksion kombëtar i pastrimit, një herë e gjithmonë, i zyrtarëve të korruptuar dhe abuzues me detyrën, por edhe  të drejtuesve të hipotekave.

JO PRANGAVE TË EKULIBRUARA

Nëse ky aksion do të mbetet këtu, atëherë kjo goditje do të jetë e dështuar. Nuk mund të quhet goditje, nëse drejtësia arreston një kryebashkiak të opozitës. Ne jemi dëshmitarë të sa e sa kryebashkiakëve që kanë bërë deri masakra urbane dhe vazhdojnë krekosen me këtë krim që nga përmasat dhe dëmet,  mund ta quajmë shumë mirë krim kundër njerëzimit për shqiptarët. Prandaj, për të qenë të drejtë, nuk do të uronin të bëhen arrestime të ekuilibruara. Pra, pas Lezhës radhën ta ketë një socialist dhe këtu mbyllej gjithçka. Ky do ishte një turp që do t’i mbetej në jetë të jetëve kësaj shumice. Operacioni i nisur, duhet të vijojë pa asnjë selektim, pa asnjë merak politik, pa asnjë dallim, por mbi bazën e zbatimit të ligjit ndaj atyre që kanë abuzuar, qofshin ata të majtë apo të djathtë.

DRIDHEN DUART, DRIDHEN PRANGAT

Duket se, tashmë ka ardhur koha e frikës. Të dhënat dhe informacionet shprehen se, ata që tashmë frika ka kapluar, janë të gjithë ata që kanë abuzuar. Të gjithë zyrtarët, duke përfshirë edhe hipotekat në qendër dhe qytete, kanë nisur trazimin dhe nuk është çudi që ky operacion të shndërrohet në një operacion nacional për të vënë drejtësinë në vend. Natyrisht, ai kërkon forcë, ndershmëri dhe qëndrueshmëri, karakter e besim dhe këto duhet t’i japë në radhë të parë politika dhe në radhë të dytë media. Ata politikanë që kanë nisur nga leksionet dhe morali, kur më parë duhet të japin llogari si abuzues, përbëjnë një turp brenda këtij turpi. Politikanë dhe të vetëshpallur moralistë, larg duart nga ky mega operacion! Ai është vetëm i drejtësisë dhe i vetëm saj. Shqipëria kurrë nuk do të bëhet shtet i mirë, nëse proceset hetimore dhe gjyqësore nuk ia lëmë në dorë drejtësisë! Ndryshe gjithçka, përfshirë edhe operacionin në bashkinë e Lezhës, do të mbetet thjesht një goditje e madhe e peshqve të vegjël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat