Raporti i FMN: Shqipëria, me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon

Shqipëria

Raporti i FMN: Shqipëria, me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon

Më: 21 mars 2018 Në ora: 08:45
Arben Ahmetaj

Fondi Monetar Ndërkombëtar mbylli dje programin e parë të monitorimit me qeverinë. Në përfundim të vizitës të misionit të FMN-së në vendin tonë, të kryesuar nga Anita Tuladhar, dje nëpërmjet një deklarate vlerësoi qëndrueshmërinë e mjedisit ekonomik dhe politik në vend.

FMN-ja deklaroi se Shqipëria gëzon një nga rritjet më të shpejta ekonomike në rajon. Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandoi përshpejtimin e reformave, pasi momenti i mirë ekonomik mund të mos zgjasë shumë.

“Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon. Mjedisi makroekonomik dhe politik është i qëndrueshëm. Politikëbërësit do të duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të çuar më tej reformat për zbutjen e risqeve, që lindin nga borxhi i lartë publik dhe detyrimet e kushtë- zuara dhe nga kreditë nën standard në sektorin financiar dhe për ta fuqizuar potencialin e rritjes afatmesme kundrejt një klime të vështirë për investimet me nivel të lartë informaliteti dhe sundim të dobët të shtetit ligjor.

Prioritetet kyçe janë: çuarja përpara e konsolidimit fiskal; rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike; fuqizimi i kuadrit institucional për mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard; dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

EFEKTET E REFORMAVE

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se përpjekjet për vazhdimin e reformave do të rrisnin mundësinë e integrimit të vendit në BE dhe standardet e jetesës për qytetarët. Këto përpjekje do ta hapin ekonominë edhe ndaj mundësive të reja për rritje, do ta ndihmojnë Shqipërinë t’i afrohet më shumë integrimit në BE dhe do të siguronin standarde më të larta jetese për popullin shqiptar. Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet.

Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, ndërsa norma e rritjes ekonomike çmohet se do të arrijë 3,9 për qind në 2017 dhe 3,7 për qind në 2018. Kushtet e financimit janë tejet të favorshme, ndërkohë që norma e inflacionit dhe normat e interesit vijojnë të jenë shumë të ulëta. Po përshpejtohet rritja e investimeve dhe besimi vijon të jetë i lartë. Eksportet po rriten, të mbështetura nga rimëkëmbja e fortë ekonomike e partnerëve tregtarë nga BEja.

Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë (BSH) janë të mjaftueshme (mbi 6 muaj mbulim importesh), ndërsa flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) vijojnë me një ritëm të qëndrueshëm. Megjithëse rimëkëmbja ende nuk mbështetet nga kreditimi, sektori bankar është i qëndrueshëm, likuid dhe rentabël”, thuhet në deklaratë.

PARASHIKIMIT PËR EKONOMINË

Sipas FMN-së, kjo situata duhet të shfrytëzohet nga qeveria për përshpejtimin e reformave. “Parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitiv, me kusht që të përshpejtohet ritmi i reformave, për ta rritur besimin dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për investime të reja dhe rritje. Risqet vijojnë të mbeten në horizont.

Ndërkohë, ky ritëm i rritjes ekonomike mund të mos zgjasë shumë. Rritja në BE ka ritme përshpejtuese që prej vitit 2016. Por rimëkëmbja e rritjes ekonomike është përgjithësisht ciklike dhe parashikimi afatmesëm mbetet i ulët për shkak të problemeve të pazgjidhura që ka lënë pas kriza të rritjes së dobët të produktivitetit dhe të faktorëve frenues demografikë”, citohet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat