Vettingu: Shtyhet për të premten seanca dëgjimore për Fatos Lulon

Shqipëria

Vettingu: Shtyhet për të premten seanca dëgjimore për Fatos Lulon

Më: 21 mars 2018 Në ora: 12:14
Seanca dëgjimore

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu për ditën e premte seancën dëgjimore të Vettingut për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.

Në një prononcim për median pas seancës, avokati i tij Ardian Visha tha se “ILDKPI ka 15 vjet që e kontrollon z. Lulo pa asnjë problematikë. Nuk ka zbulim të fundit, e gjithë përpjekja është e paqenë, e paarsyeshme”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po mban pa praninë e mediave seancën dëgjimore të Vettingut për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.

Seanca po mbahet në Pallatin e Kongreseve, dhe në të nuk është i pranishëm vetë gjyqtari Lulo, por ai përfaqësohet nga avokati Ardian Visha.

Relatorja e çështjes, Etleda Çiftja thotë se nga raporti për pasuritë i ILDKPI-së, rezulton se Lulo ka mungesë të burimit të pasurive. Ndërkohë që ka deklaruar se ai ka një depozitë financiare prej 480 mijë dollarësh në në Kanada, një shtëpi në Kanada, apartament në Rrugën e Durrësit në kryeqytet, zyrë dhe një shumë prej 100 mijë dollarë dhuratë.

Një hetim administrativ 5-mujor mësohet të jetë kryer për gjyqtarin Lulo, i cili dyshohet gjithashtu se ka shmangur taksat kur ishte avokat.

Avokati i Lulos, Ardian Visha thotë se vlerësimi i klientit të tij është i pari subjekt që del në seancë. “Raporti i ILDKPI është një produkt që ndërsa nuk ka prodhuar gjetje për 14 vjet, tani ndodh e kundërta. Kjo përbën habi sepse mungojnë të dhëna si të ardhurat e Fatos Lulos kur ka qenë avokat, apo ligjshmërisë të të ardhurave të motrës së gjyqtarit që i ka dhuruar 100 mijë dollarë. Fatos Lulo ka qenë avokat më herët gjatë viteve ’90, pse ILDKPI i konsideron këto vite më të ardhura zero?”, u shpreh Visha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat