ATP publikon listën e pronarëve të "dosjes së vitit 1996"

Shqipëria

ATP publikon listën e pronarëve të "dosjes së vitit 1996"

Më: 23 mars 2018 Në ora: 10:18
Ilustrim

Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon listën me 4900 pronarë, të cilëve u është njohur e drejta për kompensim.

Dosjet i përkasin vitit 1996. Lista me vlerësimin përfundimtar për subjekte është botuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Lista përmban të dhëna lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuara, sipërfaqja e njohur për kompensim, mangësitë në dokumentacion apo vlerësimin përkatës jepen të detajuara në regjistrin që shoqëron këtë njoftim. “Gazeta Shqiptare” publikon listën me përfituesit si dhe vlerësimin financiar për çdo dosje.

Kompensimi financiar

Bazuar në skemën që po ndjek qeveria në zbatim të ligjit të ri për pronat, prioritet do të ketë prona truall, përkundër tokave bujqësore, që do të jepen për kompensim fizik. Pas shqyrtimit të kërkesave, kompensimi financiar bëhet vetëm për ato subjekte, vendimi i të cilëve është përfundimtar, i ekzekutueshëm ose për kërkesat që nuk janë trajtuar asnjëherë për kompensim.

Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, do të përfitojnë kompensim financiar nga fondi i kompensimit, deri në masën 50 milionë lekë. Ndërkohë, pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar do të kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5 për qind më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën, në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5 për qind mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti për diferencën mbi 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.

Kompensimi fizik

Agjencia e Pronës ka në zotërim 23 mijë hektarë tokë bujqësore, për të cilat ka përfunduar më herët edhe vlerësimi ekonomik, të cilat do të përdoren për skemën e kompensimit fizik. Për ndarjen e kësaj sipërfaqeje, dy do të jenë kriteret bazë. Kriteri i parë është rendi kronologjik i vendimeve, që do të thotë se, sikurse kompensimi financiar, edhe ky kompensim do të fillojë me vendimet më të vjetra në kohë. Kriteri i dytë lidhet me vendndodhjen e pronës që do të përfitojnë si kompensim fizik. Pra, pronari do të kompensohet me një pronë nga fondi fizik, e cila gjeografikisht është më afër me pronën që i është njohur për kompensim.

Në lidhje me dokumentet që duhet të depozitohen, ato nuk ndryshojnë, por mbeten të njëjta, si në rastin e kompensimit financiar. Ndryshon vetëm formulari i aplikimit, i cili është specifik për secilin rast. Në total janë 26 mijë vendime të formës së prerë, të cilat presin të kompensohen.

Bazuar në ligjin e ri, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur një proces të ri rivlerësimi, ku një metër katror tokë do të llogaritet me çmimet e tregut, por zëri kadastral nuk do të jetë ky i sotmi, por ai që ka pasur prona në çastin e shpronësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat