Trafiku i emigrantëve, hetim pasuror për 39 të arrestuarit. Në sitë janë vënë…

Shqipëria

Trafiku i emigrantëve, hetim pasuror për 39 të arrestuarit. Në sitë janë vënë…

Më: 23 mars 2018 Në ora: 14:18
Skema e trafikimit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror për 39 të arrestuarit për trafik klandestinësh, që u arrestuan në megaoperacionin e së shtunës së kaluar.

Kështu, krahas procedimit penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, 39 të arrestuarit po u nënshtrohen edhe verifikimeve pasurore nga organi i akuzës. Në sitë janë vendosur llogaritë e tyre bankare, ku Prokuroria ka dërguar shkresa në çdo bankë të nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë e të akuzuarve.

Gjithashtu, shkresa janë dërguar edhe në Zyrat e Hipotekave për të verifikuar pasuritë e paluajtshme të tyre. Këto pasuri do të sekuestrohen nga Prokuroria nëse ka dyshime se janë vënë me para të ardhura nga trafiku i klandestinëve.

Gjithashtu, janë duke u transkriptuar të gjitha bisedat mes anëtarëve të grupeve në aplikacionin “Whatsapp”. Ka dyshime të forta se koordinimi i trafikut bëhej përmes komunikimeve në këtë aplikacion.

Sipas dosjes hetimore, 39 të arrestuarit ishin të shpërndarë në pesë grupe kryesore. Kështu, krerët e grupeve ishin Nik Bushi, Fuat Zaimi, Ardian Corri, Eno Muçollari dhe Luan Qyrku.

Këta të pestë kishin rolet organizative të grupeve që trafikonin klandestinë, kryesisht nga Shqipëria drejt Britanisë, Kanadasë dhe SHBA-ve. Emrat e tyre nuk janë të panjohur për drejtësinë shqiptare. Disa prej tyre kanë qenë të dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe janë mbikëqyrur nga autoritetet. Sipas burimeve, shumat që paguanin emigrantët për kalimin e kufijve silleshin nga 7 mijë dollarë deri në 12 mijë dollarë, në varësi të shtetit ku kërkonin të shkonin.

Fillimisht, të akuzuarit siguronin pasaporta të huaja, të cilat falsifikoheshin përmes një punishteje të jashtëligjshme që ndodhej te zona e “Kodrës së Diellit”. Më pas, këto pasaporta u jepeshin të interesuarve, të cilët pasi merrnin edhe biletat e udhëtimit në agjencitë përkatëse dhe pasi kryenin pagesat, niseshin për në destinacion. Disa pjesëtarë të tjerë të grupit ishin të ngarkuar që të shoqëronin emigrantët deri në destinacionin final. Hyrjedaljet e shpeshta të tyre të pasqyruara në sistemin TIMS i kanë nxjerrë zbuluar.

Grupet kriminale shqiptare bashkëpunonin edhe me shtetas të huaj, kryesisht bullgarë, të cilët prisnin dhe sistemonin emigrantët në vendet transite. Hetimet për këto grupe vazhdojnë ende, pasi dyshohet se pjesëtarët janë edhe më shumë. Tri linja për në Amerikë, po kaq për në Kanada dhe një linjë për në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë rrugët kryesore që ndiqnin të arrestuarit për emigrantët e paligjshëm.

Linja e parë për të mbërritur në Amerikë niste nga Shqipëria, drejt Italisë, më pas në Francë, në Meksikë dhe SHB. E dyta niste nga Shqipëria, në Malin e Zi, në Serbi, Gjermani, Spanjë, Meksikë ose Kosta Rika dhe mbërrinin në SHBA. Linja e tretë që përdorej nga trafikantët, ishte nisja nga Kosova, në Bullgari, Spanjë, nga ku më pas udhëtonin drejt Kosta Rikës e arrinin në destinacion në Amerikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat