Protesta te Rruga e Kombit, Basha: Policia me urdhër të Ramës mori peng qytetarët në Kukës

Shqipëria

Protesta te Rruga e Kombit, Basha: Policia me urdhër të Ramës mori peng qytetarët në Kukës

Më: 1 prill 2018 Në ora: 20:43
Lulzim Basha

Kryetari i PD Lulzim Basha në një deklaratë për mediat ditën e sotme është shprehur se Partia Demokratike mbështet protestuesit që ishin kundër vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit. Basha tha se policia, me urdhër të Ramës ka ushtruar presion dhe terror mbi qytetarët në Kukës. Sipas tij, policia ishte kriminale dhe se ka bërë arrestime të paligjshme. Ai shtoi se Rama duhet të heqë dorë nga “hetimi i tij i njëanshëm politik dhe të lirojë njerëzit e pafajshëm”. “Këta patën kohë që të arrestojnë Arbër Cekajn, që trafikoi 613 kilogramë kokainë kolumbiane, por se nuk kanë bërë asgjë, as e kanë ndaluar dhe as e kanë arrestuar. E njëjta polici ka kryer plaçkitje mbrëmë në Kukës duke arrestuar njerëz, vetëm pse janë ngritur në këmbë kundër papunësisë dhe taksave shumë të larta të kësaj qeverie. Policia, mbrëmë është hedhur me urdhër të Edi Ramës, kundër qytetarëve të Kukësit. Janë këta qytetarë, këta protestues që kanë ngritur zërin kundër padrejtësisë”, ka thënë Basha.

Sipas Bashës, policia ka kryer arrestime pa paraqitur urdhër – arreste. Ai tha se PD nuk tërhiqet derisa ata që kanë kryer arrestimet të japin përgjegjësi. “I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme që të ndalë së bëri hetuesinë e Edi Ramës. Habilajt dhe Balilajt duhet të jenë në fokusin e tyre. Qytetarët e Kukësit nuk duhet të tërhiqen nga e drejta e tyre legjitime për të protestuar. Ju po luftoni për mbijetesën tuaj. E drejta është në anën tuaj. Edi Rama dhe banda e tij janë humbëse, kurse në fund do të triumfojnë kuksianët dhe revolta e tyre. E gjithë shqiptaria është me ju nga Prishtina në Sarandë”, deklaroi Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat