PD kundër prishjes së teatrit, Basha: Rama po bën një akt leninist

Shqipëria

PD kundër prishjes së teatrit, Basha: Rama po bën një akt leninist

Më: 7 prill 2018 Në ora: 12:42
Lulzim Basha

Një akt leninist e quan kryetari i PD-së, Lulzim Basha projektin për teatrin e Tiranës. Opozita është kundër prishjes së teatrit, tha Basha pas takimit me artistët.

“PD është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, do të qëndrojë fuqishëm në krah të artistëve dhe u bën thirrje artdashësve t’i bashkohen protestës së tyre legjitime. Ajo që Edi Rama po bën është e kundraligjshme, korruptive. Është shumë e rëndësishme të jemi në krahun e tyre në të gjitha format e mënyrat. Përçmohen nga një kryeministër që vinte nga bota e artit, se s’mund të them më që vjen se ky është kompleksi i artistit të dështuar, që e çon drejt urrejtjes ndaj artit dhe që po zhvillon një projekt leninist të uljes së kokës së artistëve, elitës së kombit, për të asgjësuar një tjetër vatër të mendimit të pavarur. Edi Rama e urren mendimin ndryshe, ndaj dhe aktet që po merr ndaj tyre janë akte leniniste, bolshevike për të asgjësuar një elitë kombëtare që projekton mendimin e vet”, tha Basha.

Ai foli për një projekt kombëtar të opozitës për artin, të cilin do e paraqesë në Parlament. “Ne, opozita, do të ndërtojmë një projekt kombëtar për artin e kulturën, do e propozojmë në Parlament dhe nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët ta aprovojnë këtë projekt kombëtar, që në thelb nuk do të jetë thjesht vendim i artistëve, të cilët sot diskriminohen dhe goditen financiarisht”, tha kreu i PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat