Drejtësia jep arrest me burg për Suel Çelën pasi sigurohet se iku nga Shqipëria

Shqipëria

Drejtësia jep arrest me burg për Suel Çelën pasi sigurohet se iku nga Shqipëria

Më: 7 prill 2018 Në ora: 14:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas afër tetë muajsh, autoritetet e drejtësisë kujtohen dhe lëshojnë një urdhër-arresti për djalin e biznesmenit të Elbasanit, i cili u tha se ishte protagonist në sulmin ndaj policisë së Elbasanit në afërsi të tregut të tij. Historia që në fakt duhej të trondiste gjithë strukturat e policisë së shtetit u mbyll me pezullimin dhe transferimin e disa punonjësish policie, ndërsa askush nuk u kujtua të sillte në pranga Suel Çelën, të riun që ishte në mjetin luksoz me të cilin arriti të përplaste mjetin e policisë në të cilin ndodheshin zyrtar të lartë të policisë lokale.

E ndërsa Çela mundi të largohej dhe shoku i tij mori përsipër aktin e përplasjes pa dashje me policinë, tashmë është prokuroria dhe gjykata që kanë vendosur masën e arrestit me burg po në mungesë për të riun. Sipas të dhënave të para që vijnë nga prokuroria bëhet me dije se në fakt edhe sistemi TIMS e ka të regjistruar Çelën të dalë jashtë vendi prej disa kohësh, kohë që në fakt thuhet se përkon edhe me nisjen e verifikimit për fajësimin e djalit të biznesmenit Petrit Çela, i cili është i zoti i tregu agro-ushqimor, treg brenda të cili u fut makina e blinduar pasi përplasi mjetin e policisë mu në derën e jashtë të tregut.

E ndërsa mjeti Audi hyri brenda tregut duke e mbyllur derën pas vetes dhe duke e braktisur mjetin për të ikur në këmbë, Bekteshi, shoku i tij e mori përsipër aktin duke u bërë ai personi që do të shkonte në pranga për këtë ngjarje të rëndë. policia e shtetit aso kohe sulmoi policinë e Elbasanit duke e përjashtuar thuajse deri në rang drejtuesish, ndërsa më vonë u mësua se Bekteshi bashkë me dy persona të tjerë ishin të akuzuar edhe për një sulm të mëparshëm ndaj një familjeje por policia nuk kishte patur kohë të vinte në dispozicion të hetimit aparaturat dhe oficerë të përgjimit e për pasojë edhe policia dhe edhe prokuroria e Elbasanit ishin pajtuar me këtë fat të keq të policisë së Shtetit duke e lënë fare atë punë.

Arresti me burg

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur arrest me burg në mungesë për Suel Çelën, si njërin nga protagonistët për ngjarjen e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit. Ndaj Suel Çelës adresohet vepra e “vrasjes së oficerëve të policisë të mbetur në tentativë”, para tregut agro-ushqimor të këtij qyteti. Por me gjithë këtë vendim të Krimeve të Rënda për përplasjen që shkaktoi furtunë në radhët e uniformave blu, arrestimi i Suel Çelës deri më tani ka dështuar.

Masa e shpallur nga Krimet e Rënda evidenton qëndrimin e prokurorisë që përshkruan se në fakt dyshohet se mjetin “Audi” që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela. Burimet thonë se provat rrëzojnë alibinë e Enea Bekteshit, i cili fillimisht para gjykatës ka deklaruar se ai e goditi policinë, dhe se e kishte kryer këtë veprim pasi ishte trembur nga postblloku dhe të shtënat. Në atë kohë Bekteshi e përshkroi veten nën efektin e alkoolit por për akuzën ky version është i pavërtetë. I dyshuari kryesor tashmë është Suel Çela sipas një vendimi gjyqësor që i kërkon policisë ta arrestojë. Suel Çela është djali i Petrit Çelës, që është gjithashtu pronari i tregut agro-ushqimor dhe që është pyetur me herët nga autoritetet.

Por pas incidentit dhe pamjeve filmike të bëra publike megjithëse emri i Suel Çelës u përmend jo zyrtarisht, asnjë nga institucionet nuk e lakoi emrin e tij zyrtarisht. Pas ngjarjes ai qëndroi në kërkim policor për më shumë se një muaj. Ndërkohë që me dosjen e Elbasanit luhej ping-pong kompetencash herë në Tiranë e herë në Elbasan, policia e ka shoqëruar në muajin dhjetor Suel Çelën. Por atij ndërkohë rezulton t’i kishin përfunduar afatet e kërkimit policor. Në këto kushte ai është lënë i lirë. Pas kësaj në referim të provave, gjykata ka shpallur masën e sigurisë arrest me burg. Por kjo masë është vendosur një javë pasi Suel Çela, siç rezulton nga sistemi TIMS, kishte dalë nga Shqipëria, i lirë dhe i patrazuar nga drejtësia.

Ikja e Audit

Referuar dosjes së publikuar menjëherë pas ngjarjes së rëndë u mësua se: “Autoveturën “Audi” e gjetën parkuar në pjesën juglindore të territorit, pranë një Bar Restoranti. “Audi” kishte targë AA795EP, dhe u gjet i mbyllur. Më pas solli çelësat Petrit Çela, ai u hap. Në pamje të parë ajo dukej makinë e blinduar. Në të, nga jashtë, në pjesën anësore, majtas, krahu i shoferit, i vumë re shenja gërvishtjeje që fillonin nga dera e shoferit dhe vazhdonin deri  në derë të pasagjerit, majtas, e ndërsa shiriti i këtij krahu u gjet në tokë. Kjo përforcoi dyshimin që ky mjet kishte goditur mjetin e policisë më parë. Kërkimi për personin që e kishte drejtuar atë në hyrje të territorit të objektit”.

Përplasja sipas dosjes

…Nga goditja që autovetura “Audi” i bëri makinës së policisë, kjo e fundit është zhvendosur nga vendndodhja fillestare (vendndodhja fillestare e saj kishte qenë paralel me derën e objektit, me drejtim lëvizjeje nga qyteti Elbasan). Nga ky manovrim i drejtuesit të autoveturës “Audi”, u rrezikua dukshëm jeta e oficerëve të policisë që ishin brenda kësaj makine në këtë moment dhe e të tjerëve, që ndërkohë po përgatiteshin të hipnin në makinat përkatëse. Nga kjo që ndodhi, menjëherë dikush nga punonjësit e policisë qëlloi me armë në ajër, po ndërkaq drejtuesi i “Audit” ishte larguar me shpejtësi në brendësi të territorit.

Thirrjeve të punonjësve të policisë për të hapur derën e objektit “Tregu Agro-ushqimor”, roja i ishte përgjigjur se nuk i njihte se kush ishin, dhe se nuk kishte të drejtë t’u hapte derën, pa pyetur më parë administratorin e këtij territori, i cili do të identifikohej më pas si Petrit Çela. Kjo zgjati shumë kohë, dhe me ardhjen këtij të Petrit Çelës, dera e objektit u hap dhe punonjësit e policisë u shpërndanë nëpër territor, për kontroll e gjetje të autoveturës “Audi” (këtu duhet vënë në dukje se territori ishte shumë i gjerë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat