Rama s’i beson as pushtetit vendor, nis auditimi për formalizimin e sektorit të ujit

Shqipëria

Rama s’i beson as pushtetit vendor, nis auditimi për formalizimin e sektorit të ujit

Më: 9 prill 2018 Në ora: 15:52
Edi Rama

Aksioni për formalizimin e sektorit të ujit të pijshëm është lënë në dorë të Bashkive, por qeveria ka vendosur të kontrollojë mënyrën se si po e zbaton në terren pushteti vendor këtë reformë.

Një urdhër i firmosur nga ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, detyron të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësit që të kontraktojnë auditues të pavarur për bilancet e tyre, dhe në varësi të raporteve do të bëhet shpërndarja e fondeve të buxhetit për të mbuluar humbjet e ujësjellësave.

Vendimi detyron kompanitë e ujësjellësit që t’i nënshtrohen verifikimit edhe për pjesën se si tarifohen klientët.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se në shumë raste ka shkelje të mënyrës të tarifimit në bazë të kategorive familjarë dhe biznese, e ndërsa disa bashki faturojnë klientët pa patur një çmim të miratuar nga Enti Rregullator i Ujit.

Për këtë arsye, evidentimin e rasteve të tilla tashmë do ta bëjë një ekspert kontabël, i cili do të raportojnë pranë qeverisë.

Po ashtu audituesi do të japë edhe një pasqyrë mbi detyrimet që kanë kompanitë e ujësjellësave ndaj organeve tatimore dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

Pas skedulimit të borxheve, një pjesë e të ardhurave që do të realizohen nga aksioni në sektorin e ujit do të shkojnë për të shlyer detyrimet OSHEE-së dhe autoriteteve fiskale.

Në total, vetëm ndaj kompanisë së shpërndarjes borxhi i bashkive kap shifrën 80 milionë Euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat