Mosbindja civile, opozita drejt bojkotit, sot mobilizon biznesin e vogël

Shqipëria

Mosbindja civile, opozita drejt bojkotit, sot mobilizon biznesin e vogël

Më: 10 prill 2018 Në ora: 07:47
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, dhe kryetari i PD, Lulzim Basha

PD-ja hedh idenë e braktisjes së Kuvendit. Basha takim me biznesin: Mbyllni qepenat, Rama po çon 50 mijë biznese drejt falimentimit. Pas procedimit për krerët e partive opozitare, policia procedim edhe 400 personave për bllokimin e rrugëve.

Mosbindja civile e opozitës, ndiqen penalisht 400 protestues, policia: Po identifikohen

Krerët e opozitës shqiptare sfidojnë policinë, prokurorinë dhe mesazhet e forta të ambasadorit amerikan, Donald Lu, pas procedimit penal për bllokimin e katër akseve kryesore kombëtare, gjatë provës së parë të mosbindjes civile. Krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, pjesë e listës së emrave të proceduar nga policia, i kanë bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se nuk kanë frikë nga policia dhe prokuroria e tij.

Në të njëjtën kohë, krerët e opozitës kanë një plan për të vijuar mosbindjen civile. Basha dhe Kryemadhi kanë nisur dje lëvizjet për të shtyrë drejt mosbindjes civile biznesin dhe artistët. Sot, nga ora 11:00-12:00, bizneset në disa zona në Tiranë duke filluar nga Tregu Elektrik, Industrial, Medreseja, ai Ushqimor, Çam dhe pika të tjera do të ulin qepenat në shenjë proteste kundër përfshirjes në skemën e TVSH. Dakordësia është arritur dje gjatë një takimi të Bashës me përfaqësues të biznesit të vogël.

Ndërkaq, sipas burimeve, protestës së biznesit të vogël pritet që t’i bashkohen sot edhe deputetët e PD në Tiranë. Në të njëjtën kohë, opozita po rishikon mundësinë e bojkotit të komisioneve parlamentare. Përfaqësues të PD kanë hedhur edhe idenë e djegies së mandateve. Nga ana tjetër, deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë paralajmëruar mundësinë e rrethimit të Kryeministrisë dhe bllokimin e ministrave për të hyrë në zyra. Ndërkaq, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar e kanë dënuar mosbindje civile.

Apeli i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, teksa u ka kërkuar që të mbyllin qepenat e baseneve, në shenjë revolte nismës së qeverisë për futjen e biznesit në skemën e TVSH. “Duhet veprim dhe qëndresë.

Të enjten kur qytetarët bllokuan 4 akset rrugore dhe ne ishim dhe do të jemi në krah të tyre, siç do të jemi në krahun tuaj në Tiranë, Fier e Korçë u ulën qepenat dhe unë dua t’i përshëndes e t’i përgëzoj të gjithë ata sipërmarrës të vegjël që ndërmorën këtë akt mosbindje qytetare, këtë akt proteste me uljen e qepenave. Ju bëj thirrje t’i bashkoheni aksionit që ndërmerr nesër shoqata e biznesit të vogël dhe shoqata për mbrojtjen e tregut nga ora 11 deri në orën 12, mbylljen e qepenave në mbarë Shqipërinë”,tha Basha.

Akuza e rëndë
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh dje se Rama po bën gati koncesionin e TVSH-s për t’ia dhënë vëllait të vet. Sipas tij, kjo skemë çdo drejt falimentimit 50 mijë biznese. “TVSh-ja po futet tek biznesi i vogël dhe po bëhet gati koncesioni i TVSh-së për t’ia dhënë vëllait të vet. Një plan për të cilin e bëri kurban një ministër financash dhe solli këtë të dytin që vetëm me financat nuk ka lidhje përveç pjesës së vjedhjes dhe grabitjes.

Meqë ra fjala, vetëm sa vjedh Arben Ahmetaj me konsencionin e inceneratorëve këtë vit ku është planifikuar të marrë 25 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve ndërkohë që me TVSH-në e biznesit të vogël planifikon të fusë në arkën e shtetit 15 milionë. Pse bëhet e gjitha kjo?! Pse çohen 50 mijë biznese drejt falimentimit, qindra mijëra shqiptarë drejt papunësisë për të futur 15 milionë dollarë më shumë në arkën e shtetit kur vetëm Arben Ahmetaj do të marrë nga arka e shtetit 25 milionë dollarë për koncesionin e inceneratorëve. Ky është një koncesion korruptiv e kriminal”, u shpreh kryetari i PD.

Ku do përfundojnë paratë?
Basha akuzoi qeverinë se po grabit shumicën për të mbushur xhepat e saj. “Arsyet pse biznesi i vogël po futet në TVSH janë arsyet korruptive të cilat inkriminojnë drejtpërdrejtë Edi Ramën. E para që të bëjë koncesionin e TVSH-së dhe t’ia japë vëllait të tij dhe e dyta e gjithë xhiroja që bën biznesi i vogël kur të mbyllet ky biznes ta drejtojë në 4 apo 5 oligarkë që kontrollojnë tregun. Kaq e thjeshtë është. Prandaj e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë me forcë. Mbështesim thirrjet që keni bërë sot.

Nuk pret më koha. Fjalët nuk kanë për ta ndryshuar më këtë realitet. Kjo pra është e vërteta. Kjo është e vërteta e TVSH-së. Grabitet shumica për t’i dhënë pakicës. E thatë shumë mirë. Pse për koncensionet jepen kontrata 30 vjeçare, ndërsa sistemi fiskal ndryshon çdo 3 muaj?! Sepse kjo është një qeveri që mendon vetëm për xhepat e një pakice dhe për këtë flijon ditë për ditë interesat e shumicës”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat