Meta: Ja pse shqiptarët e Malit të Zi duhet të votojnë Milo Gjukanoviçin

Shqipëria

Meta: Ja pse shqiptarët e Malit të Zi duhet të votojnë Milo Gjukanoviçin

Më: 13 prill 2018 Në ora: 21:47
Ilir Meta dhe Milo Gjukanoviçin

Të dielën mbahet zgjedhjet Presidenciale në Malin e Zi. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se shqiptarët atje duhet të votojnë për kandidatin që ka mbështetur të drejtat e tyre.

I pyetur nga “Albanian Daily News”, se cili ishte kandidati që ka forcuar lidhjet midis shqiptarëve dhe malazezëve, Meta përmendi Milo Gjukanoviç, kandidati favorit në zgjedhje.

Duke qenë se jemi fqinjë të drejtpërdrejtë dhe një pjesë e popullsisë së Malit të Zi është shqiptare, si i shihni prononcimet e deritanishme të kandidatëve për President?

Shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë dhe janë një faktor shumë i rëndësishëm për unitetin dhe stabilitetin e vendit dhe ky rol i tyre është vlerësuar shumë si nga aktorët ndërkombëtare ashtu edhe nga drejtuesit dhe politikanët malazezë.

Fushata elektorale kudo ka elementët e saj dhe platformat e kandidatëve synojnë maksimalizimin e votës përmes atyre që premtojnë.

Por mendoj se shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të interesuar, në veçanti për statusin dhe respektimin e të drejtave të tyre legjitime dhe jam i sigurt se ata do të bëjnë dallimin e qartë midis kandidatëve që kanë kontribuar për ta dhe atyre që retorikën nacionaliste apo antishqiptare e kanë bërë pjesë të platformave të tyre.

Cili do të ishte interesi më i mirë i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe cilin kandidat mendoni se ata do të mbështesin ?

E theksoj edhe njëherë se shqiptarët në Mal të Zi e ndjejnë, e dinë dhe kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se cili prej kandidatëve i ka përmbushur dhe përmbush më së miri aspiratat dhe të drejtat e tyre. Nuk ka qenë një proces i lehtë dhe as i përfunduar.

Personalisht mendoj se kandidati që i ka vendosur dhe forcuar lidhjet miqësore e të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe malazezëve dhe ka ndikuar në mënyrë të qenësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zoti Millo Gjukanoviç.

Mikpritja dhe mbrojtja që zoti Gjukanovic u ofroi në Malin e Zi mijëra shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur nga gjenocidi i Milloshevicit mbeten të paharruara për shqiptarët kudo në rajon e në botë.

Njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës prej Malit të Zi ka qenë një tjetër tregues i përkushtimit të tij për fqinjësi të mirë dhe stabilitet.

Konstruktiviteti i tij për të zgjidhur në mënyrë të hapur e të drejtë çështjen e demarkacionit me Kosovën është tregues i vizionit të tij evropian.

Gjykanoviç mendoj se i përfaqëson më mirë se kushdo interesat shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe është një prej kandidatëve me më shumë eksperiencë në drejtimin e Malit të Zi dhe që ofron garanci reale në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat