A ishte i ligjshëm arrestimi i kuksianëve? Manjani përplaset me Xhafajn

Shqipëria

A ishte i ligjshëm arrestimi i kuksianëve? Manjani përplaset me Xhafajn

Më: 17 prill 2018 Në ora: 10:36
Yll Manjani, Xhafaj

Arrestimi i 23 kuksianëve ka hapur debat të ashpër lidhur me procedurat që janë ndjekur nga polici në arrestimin e tyre.

Opozita ka hedhur akuza të forta se ata janë vënë në pranga në mënyrë të paligjshme, pasi u kanë shkuar në shtëpi në orët e vona të natës, çka është ligjërisht e ndaluar.

Për këtë akuza, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke folur në studion e ‘Channel one’ të Roland Qafokut është shprehur se veprimet e policisë kanë qenë shumë korrekte me ligjin, pasi është respektuar Kodi i Procedurës penale.

“Policia ka respektuar kërkesat e Kodit të Procedurës Penale. Hapeni Kodin e procedurës Penale. Hapeni rregulloren. Jo këtu po në të gjithë botën. Nuk lejohen kontrollet e banesave natën. 

Nuk ka asgjë në kundërshtim me ligjin. Veprimet e policisë i kontrollon prokuroria dhe verimet e prokurorisë i kontrollon gjykata. Prokuroria dhe gjykata i kanë cilësuar të ligjshme veprimet e policisë për sa kohë I kanë vendosur arrest. Kanë qenë 36 persona. 23 u arrestuan dhe 13 janë në kërkim. Ata janë larguar për ti shpëtuar përballjes me drejtësinë. Ky është shtet i të drejtës nuk është shtet i partive.”, -tha Xhafaj.

Por një mendim krejt ndryshe ka ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili ka publikuar ditën e sotme nenin e Kodit të Procedurës Penale, të cilit i referohet edhe ministri Xhafaj.

Siç bën me dije, Manjani, shoqërimi i personave në banesat e tyre nuk mund të bëhet mes orës 20:00 dhe 07:00 të mëngjesit.

Për Manjanin veprimet e policisë janë në kundërshtim të ligjit, duke shtuar se kuksianët nuk u shoqëruan, por u arrestuan.

“Neni 109 është i ligjit për Policinë e Shtetit. Ky nen tregon se kur e si shoqërohet një person në polici. Neni tregon se shoqërimi nuk bëhet për qejf të policisë!!! Vetëm kur personi është në hetim; në ndjekje nga Prokuroria; ka sëmundje ngjitëse; është duke i ikur policisë....

Pra shoqërimi është masë ekstreme ndaj një reagimi ekstrem! Jo për teka, e as hakmarrje shtetërore! Neni 206, është i Kodit të Proçedurës Penale. Ky nen nuk lejon Policinë ti hyjë askujt në banesë, as me vendim gjykate nga ora 20:00 deri në 7:00.

Ky është ligji! Kuksianët u rrëmbyen në 3:00 të natës nga shtëpitë e tyre, pa vendim gjyqi, pa arsye të ngutshme dhe jo në flagrancë! Kjo është Rilindja e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës! Asnjë surprizë, apo jo?!”, -thotë Manjani në një reagim në profilin e tij në Facebook.

 Arrestimi i 23 kuksianëve erdhi pas protestës që ata bënë në rrugën e Kombit, kundër vendosjes së tarifës për këtë rrugë.

Por në protestë e sipër, ata i vendosën flakën kabinës ku bëheshin pagesat për të kaluar në rrugën e Kombit. Disa ditë më pas, Gjykata e Kukësit, e cila për shkaqe sigurie u zhvendos në Tiranë, vendosi që 11 prej kuksianëve të arrestuar të liheshin në burg, ndërsa liroi 12 të tjerë. Por, nga ana tjetër, gjykata u shpreh se veprimet e policisë dhe të prokurorisë ishin të ligjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat