KE hap negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, Mogherini: Ende s’ka zgjerim

Shqipëria

KE hap negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, Mogherini: Ende s’ka zgjerim

Më: 17 prill 2018 Në ora: 15:48
Rama-Mogherini

Komisioni Europian ka rekomanduar sot hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Ne nje deklarate se bashku me eurokomisionerin Hahn, Federica Mogherini ka dhene lajmin e mire nga Brukseli.

“Sot komisioni rekomandon celjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë”-tha ajo, duke theksuar se zgjerimi rrit stabilitetin dhe sigurinë.

“Do të them pak fjalë për Ballkanin Perëndimor. Do të shkoj, në Tiranë, Shkup, Podgoricë dhe Beograd. Ballkani është Europë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE, të fortë dhe stabël, është përgjegjësi e përbashkët. Ky është momenti që njohim arritjet pozitive. Kemi forcuar angazhimin me rajonin përmes strategjisë për Ballkanin, që kreu Juncker dhe duke përgatitur edhe samitin. Ende nuk ka zgjerim, po angazhimi ynë është i madh. Nga gjashtë partnerët, Serbia dhe Mali i Zi kanë ecur mirë, sot KE vendos që të hapen negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë, po punojmë për Bosnjen dhe progresin për Kosovën”- tha Mogherini.

Raporti i progresit do t’i dorëzohet Kryeministrit Rama nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zv.presidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini, sot ku do të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Pas vlerësimit të 5 prioriteteve kryesore të vendosura nga Komisioni Europian, në vëmendje nga Brukseli do të jetë mbarëvajtja e Reformës në Drejtësi, e veçanërisht procesi i vetingut. Sipas EUObserver, raporti prej 37 faqesh i progresit që ka bërë Shqipëria në këtë një vit e gjysmë, pasi për vitin 2017 nuk pati raport, thuhet se është bërë përparim në pesë prioritetet kyçe.

“Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.

Në raport vlerësohet ecuria në Reformën në Drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vetingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla.

Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm.

Duke u ndalur te korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave.

“Përgjithësisht ka pasur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017).

Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend.

Bashkëpunimi mes Policisë dhe Prokurorisë ka vend për përmirësim dhe ka pasur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale, numri i të dënuarve si koka të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët.

Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport. Edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, Komisioni njeh pak përparësi.

“Progres domethënës u krye me amendimet e Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir organizmash antikorrupsion, përfshirë edhe një prokuror të posaçëm pritet të ngrihen. Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, vëren KE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat